Lewandowski e thotë troç: Bayerni po plaket, duhen blerje të shtrenjta

Robert Lewandowski ka një dyshim. Ai nuk është i sigurt nëse Bayerni do të mund të qëndrojë në nivelin e klubeve më të mëdha europiane.

Drejtuesit bavarezë, në fakt kanë këmbëngulur se nuk do të çmenden për të shpenzuar shifra jashtë logjikës së merkatos.

Mirëpo nëpër Europë, vetëm PSG shpenzoi 400 milionë euro për Neymar dhe Mbappe, ndërsa Barcelona 105 milionë, plus bonuset, për Dembele.

Shuma më e madhe e shpenzuar nga Bayerni në merkaton e verës ishte 41.5 milionë për Tolisso.  Lewa nuk beson se kjo është strategjia e duhur.

40 milionë sot shpenzohen për futbollistë normalë, jo për më të mirët. Futbollistët e Bayernit po plaken, çdo skuadër ka nevojë për një lojtar të nivelit më të lartë çdo 2-3 vjet, për të rinovuar energjitë, përveçse për të sjellë më shumë cilësi. Klubet e tjera shpenzojnë shumë vetëm për një futbollist. Nëse Bayerni dëshiron të ketë më të mirët në botë, duhet të jetë më kreativ dhe të ndryshojë strategji”, tha polaku.