Trajneri i Suedisë: Italia ka probleme, e kemi studiuar me detaje

Trajneri i Suedisë, Janne Andersson, paralajmëron Italinë para përplasjes së parë “play-off” të “Rusi 2018”. 55-vjeçari kërkon të vërë nën presion “të kaltrit”, duke theksuar se katër herë kampionët e Botës kanë mjaft probleme.

Jemi stërvitur shumë mirë e po presim me padurim të zbresim në fushë. Italia ka një mbrojtje shumë të mirë, por ne në shtëpinë tonë kemi shënuar plot 18 gola dhe kemi fituar katër ndeshje në kualifikuese. Duhet të bëjmë lojën tonë. E kemi studiuar në detaje Italinë, ka problemet e saj si gjithë ekipet e tjera”, theksoi tekniku suedez.

Suedia është gati të përballet me kokën lart me Italinë, ndërsa trajneri Andersson as që e vret mendjen për peshën politike të Italisë në futbollin botëror.

Nuk vlen fare, sepse në fushë do të jenë 11 kundër 11. Për ne do të jetë shumë e rëndësishme që të mos gabojmë në fushën tonë, sepse është një sfidë vajtje-ardhje. Formacioni? E kam vendosur, nuk do të jetë i gatshëm vetëm Lusting. E kam një ide bazë, por kemi disa variante, në varësi të kundërshtarit”, përfundoi Andersson.