Gjykata e Krujës liron edhe një tjetër të dënuar, është ‘UFO i arratisjeve

E njëjta gjyqtare e njëjta gjykatë. Gjykata e Krujës ka vendosur lirimin e një tjetër të dënuari nga burgu i Fushë Krujës. Bëhet fjalë për të dënuarin Ilir Paja, të cilit gjyqtarja Enkelejda Hoxha i ka caktuar dënimin ‘arrest në shtëpi’. E njëjta gjyqtare liroi edhe Genc Tafilin.

Sipas të dhënave të bëra publike deri më tani, Paja kishte sjellë raporte në gjykatë, ku thuhej se vuante nga disa sëmundje dhe do të kurohej në shtëpi.

Ilir Pajës, që njihet ndryshe edhe ‘Ufo i arratisjeve’, për arratisjet e tij spektakolare në Itali e Gjermani, duhej të vuante edhe 1 vit burg për plagosjen e një oficeri policie në datën 6 mars 2008. Plagosja policit ndodhi tek vendi i njohur si ‘Farmacia 10’ në Tiranë, në momentin kur policia ndërhyri për ta arrestuar.

Çfarë ndodhi në 6 mars 2008

Një efektiv i policisë kriminale është pranë Medresesë në Tiranë. Policia ka identifikuar menjëherë si autor të ngjarjes shtetasin Ilir Paja nga qyteti i Beratit. Ai është arrestuar menjëherë nga policia. Paja ishte duke lëvizur me një automjet në Rrugën e Dibrës pranë Medresesë në Tiranë, kur pranë tij është afruar B. H., efektiv i policisë kriminale në Tiranë, ndaj të cilit ai ka qëlluar menjëherë me armë zjarri.

Për pasojë ka mbetur i plagosur punonjësi i policisë, ndërsa efektivë të tjerë filluan operacionin për ndalimin dhe arrestimin e super të kërkuarit. Dëshmitarë dhe punonjës të policisë dërguan për ndihmë mjekësore të plagosurin, ndërsa disa çaste më vonë u arrit kapja e Pajës, i cili ishte plagosur nga përplasja me oficerin e policisë. Të dy morën ndihmën e parë mjekësore në spitalin "Nënë Tereza", ndërsa punonjësi i policisë u dërgua për ndihmë të specializuar në Spitalin Ushtarak.

Historia "Ufo", nga vrasjet në Gjermani tek arratisjet në Itali

Skeda kriminale e Ilir Pajës, të paktën sipas akuzave penale që i janë adresuar atij, duket e pasur me bëma sa të guximshme e të rrezikshme aq edhe ekstreme. Akuza më e rëndë ndaj tij është ajo që lidhet me një vrasje të ndodhur në vitin 2003, kur Ilir Paja akuzohet se ka vrarë në mënyrë makabre një shtetas shqiptar. Krimi ka ndodhur në një parkim automjetesh në qytezën Duisburg të Gjermanisë, ndërsa shkak për vrasjen dyshohet se ka qenë fakti se viktima kishte hyrë në zonën e trafikut të prostitutave, që shfrytëzohej nga Ilir Paja.

Ai iku nga Gjermania menjëherë pas krimit për t'u prangosur në Itali, ku gjithsesi qëndroi për pak kohë në burg, pasi u arratis nga qelitë e burgut të Peruxhias falë një skenari spektakolar. Në 11 qershor të vitit 2006, Ilir Paja iku nga kati i tretë i burgut me anë të çarçafëve të lidhur në njëri-tjetrin dhe më pas kërkimet e policisë dështuan për shumë kohë në kapjen e tij. Pas kësaj Ilir Paja u bë person i shumëkërkuar dhe u vu në pranga, por përsëri u arratis në kohën që me ambulancë po transferohej nga njëri burg në tjetrin, duke përfituar edhe nga mungesa e vëmendjes nga punonjësit që po e shoqëronin. Akuzat penale të adresuara ndaj Ilir Pajës në Itali dhe Gjermani fillonin me vrasje, trafik droge, vjedhjet e vilave, rrëmbim personi, dhunë seksuale e deri te shfrytëzim prostitucioni.