Në ditën e medias, Rama sulmon gazetarët edhe në sy të Hahn: Janë të pabesueshëm, duhen të tjerë

Kryeministri i Shqipërisë edhe në ditën e medias nuk e ka ndalur sulmin ndaj gazetarëve. Duke kërkuar dëshpërimisht çdo rrugë për të hequr vëmendjen nga skandalet që kanë përfshirë qeverinë e tij dhe vetë atë, Edi Rama i sulmoi gazetarët mu në Konferencën e Komisionit Europian në “Ditët e Medias”.

Sipas tij, media në Shqipëri janë institucionet më të pabesueshme për popullin. Në fakt para se Rama të flasë për besueshmërinë e medias, duhet të shikojë që qytetarët e kanë humbur besimet tek qeveria e tij.

Sipas Edi Ramës, media në Shqipëri e shkel dinjitetin njerëzor të njerëzve publikë nga mëngjesi deri në darkë duke sjellë një shembull nga mediat austriake.

Një deputet austriak, që ishte vendosur nën hetim për një shkelje të caktuar, ishte larguar nga vendi, por një revistë botoi një artikull ku e etiketonte si “Boni dhe Klajdi” austriak .

Gjykata vendosi në favor të deputetit, sepse konotacioni negativ “Boni dhe Klajdi”, çiftit të dy kriminelëve të njohur, dëmtoi dinjitetin njerëzor të tij dhe të bashkëshortes.

Për fat të keq, shkelje të kësaj natyre dhe shkelje të dinjitetit të njerëzve publikë në Shqipëri zhvillohen nga mëngjesi në darkë. Dhe tani që ne po flasim me siguri është duke ndodhur një shkelje.”

Më tej Rama përdori fjalët e Adam Michnik se “Fjalët vrasin të parat, plumbat vijnë mbrapa”.

 “Sfida është e dyfishtë, për të rritur frymën e përgjegjësisë në përdorimin e kësaj arme, jo për të vrarë me këtë armë në emër të lirisë. Është e pamohueshme që sot kemi një problem të rëndësishëm, që është pjesë e një procesi tërësor transformimi, që ka të bëjë në rastin tonë me shfrenimin e gjuhës së urrejtjes.

Indro Montaneli thoshte se “Kurrë nuk i besohet një gazetari të pasur”. Është e pamohueshme që sot në media gjenerohet një pasuri e tejskajshme.

Mediat janë kthyer në institucione të pabesueshme për publikun. Shpërthimi i ‘Fake neës’ e mjegullon të vërtetën dhe e ndot informacionin.

Jam besimplotë, por edhe pesimist për të ardhmen e afërt. Për shkaqe që janë në sytë e të gjithëve, por edhe për arsyen se po lind nevoja e një gjenerate njerëzish në media, që përmbushin disa kritere e parime, që i kanë bërë mediat e njohura shtylla mbrojtëse të demokracisë dhe lirisë,” tha Rama.