Liroi Genc Tafilin, ja çfarë i ndodhi gjykatëses...

Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka nisur procedurat për verifikimin e vendimit të Gjykatës së Krujës, e cila të martën liroi nga burgu Genc Tafilin, ndërsa të tjera fakte dalin në dritë për gjykatësen që dha vendimin, Enkelejda Hoxha.

Mësohet se ajo është proceduar me vërejtje për largim nga detyra nga KLD në mbledhjen e 15 prillit të vitit 2014. Ministri i Drejtësisë i asaj kohe Nasip Naço ka kërkuar fillimisht shkarkimin e gjyqtares dhe largimin e saj nga trupa gjyqësore shqiptare, por në një mbledhje të zhvilluar me dyer të mbyllura u ndryshua kërkesa dhe u mor një vendim paralajmërues.

Sipas njoftimit për mediat të bërë publike atë kohë nga KLD-ja thuhet se: “Mbledhja vijoi më pas, me shqyrtimin e masës disiplinore ndaj znj. Enkelejda Hoxha, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë, për të cilën Ministri i Drejtësisë kërkoi paraprakisht ndryshimin e propozimit fillestar nga “shkarkim nga detyra” në “vëretje me paralajmërim për shkarkim nga detyra”. Pas diskutimeve, Këshilli vendosi të miratojë kërkesën e Ministrit të Drejtësisë, për masën disiplinore “Vëretje me paralajmërim për shkarkim nga detyra” për znj. Enkelejda Hoxha, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë”.

Procesverbali i mbajtur nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë me vendimin nr 46 datë 15.04.2014, bën të ditur se pas ankesës së një shtetasi për zvarritje në gjykim dhe verifikimit të rastit nga Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë ka rezultuar me shkelje të vazhdueshme të ligjit, në punën e saj në veprimtarinë gjyqësore të gjyqtares E.H. (Enkelejda Hoxha).

Pas sqarimeve procedurale dhe dëgjesës së gjyqtares është marrë vendimi për paralajmërimin e saj për largim nga puna. “Këshilli i Lartë i Drejtësisë konstaton se në rastin konkret, gjyqtarja E.H, ka vepruar në kundërshtim me vendimin unifikues nr.7, datë 14.10.2011, në marrjen e vendimit të ndërmjetëm të datës 21.09.2012, që në thelb të tij, ky vendim unifikues njëson praktikën mbi rregullat procedurale penale që lidhen me lirinë më themelore të individit, atë “për arrestin në burg”.

Veprimi i gjyqtares (trupës gjyqësore) duke mos e zbatuar atë ka pasur si pasojë zgjatjen në kohë, pa dhënë një vendim, ka cënuar lirinë personale të individit, garantuar kjo liri nga Kushtetuta e vendit dhe për rrjedhojë në të gjithë legjislacionin e brendshëm penal por edhe në ekzistencën dhe veprimtarinë e Gjykatës Kushtetuese në funksion të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive vetjake. Nisur nga siguria dhe uniformiteti në interpretim që krijonjnë vendimet unifikuese, si dhe në rastin konkret, për të gjitha rastet e ngjashme për gjykatat e tjera, mosrespektimi i vendimit unifikues nga gjyqtare E.H, trupa gjyqësore, ka krijuar pabarazi në të drejta, ndaj një qytetari të Republikës”.

Kush është Genc Tafili

Genci Tafili është i dënuar me 25 vite burg për vrasjen e kreut të policisë së Shkodrës, Arben Zylyftari, ngjarje e ndodhur në vitin 2000 në qytetin e Shkodrës.

Prokuroria e cilësoi vendimin në kundërshtim të hapur me ligjin. Sipas organit të akuzës, ligji e parashikon që nga lirimi me kusht nuk mund të përfitojnë personat e dënuar për veprën penale “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, vepër për të cilën ishte dënuar dhe Tafili.

Por Gjykata e Krujës nuk e ka marrë parasysh këtë fakt dhe ka urdhëruar lirimin e tij. Menjëherë vendimi është apeluar dhe i është kërkuar kreut të KLD-së të nisë verifikimin për këtë rast.

Vëllezërit Tafili janë të njohur për drejtësinë shqiptare. Pas ngjarjes së vitit 2000, ku veç Arben Zylyftarit mbeti i vrarë dhe Bahri Tafili, babai i Genc dhe Admir Tafilit, ky i fundit nisi hakmarrjen, pasi sipas tij, shkaktar për vrasjen e babait ishte shefi i Krimeve në Policinë e Shkodrës, Prelë Pjetrushi.

Admir Tafili arriti t’i bëjë një atentat Pjetrushit në Malësinë e Madhe, por fatmirësisht ai arriti të shpëtonte dhe u largua nga Shqipëria. Edhe pse i arrestuar, Admir Tafili më 2 tetor të vitit 2010 mori 5 ditë leje për të takuar familjarët. Ai arriti t’u largohej gardianëve dhe pas 6 muajve në arrati, më 18 mars 2011 qëlloi për vdekje dy vëllezërit e ish-shefit të krimeve, Nik dhe Gjovalin Pjetrushi.

/BW/