Gudar Beqiraj takon Presidentin Meta, jep dorëheqjen nga Akademia e Shkencave

Kreu i Akademisë së Shkencave mësohet të ketë dhënë dorëheqjen nga kjo detyrë, mbrëmjen e sotme. Burimet konfirmojnë për SYRI.net, se Beqiraj ka zhvilluar një takim me Presidentin Ilir Meta, ku ka paraqitur edhe dorëheqjen.  

Duket se vendimi i Beqirajt është një përpjekje për ti zgjidhur përplasjen mes Akademisë së Shkencave dhe kryeministrit Edi Rama, i cili së fundmi vendosi që fondin prej 2 milionë euro për këtë Akademi t’ia kalojë kërkimit shkencor të universiteteve. 

Burime zyrtare bëjnë të ditur se gjatë takimit u diskutua mbi situatën aktuale të Akademisë së Shkencave, proçesin e reformimit të saj dhe sfidat dhe perspektivën e përballjes së tyre me sukses.

Gjatë bisedës u nënvizua nevoja dhe rëndësia e një reformimi tërësor të kërkimit shkencor dhe Akademisë së Shkencave në drejtim të rritjes së produktivitetit shkencor në harmoni me zhvillimet e sotme të shkencës, teknologjisë dhe inovacionit, për përballimin e sfidave të rëndësishme të vendit tonë.

Gjatë takimit Akademiku Beqiraj i shprehu vullnetin e tij Presidentit të Republikës për t’u dorëhequr nga pozicioni i Kryetarit të Zgjedhur të Akademisë së Shkencave duke theksuar se ai do të mbetet përkrah kolegëve të tij akademikë, mbështetës dhe kontribues  i procesit të reformimit të nisur tashmë të këtij institucioni të rëndësishëm.

Presidenti Meta vlerësoi lart aktin qytetar të Akademikut Gudar Beqiraj duke vënë në dukje personalitetin e tij dhe rolin e kontributin e gjatë jo vetëm në fushën e kërkimit shkencor por edhe në atë të zhvillimit të sportit dhe të veprimtarive humanitare.

Presidenti Meta theksoi rëndësinë e vendosjes sa më shpejt të dialogut mes Asamblesë së Akademisë së Shkencave dhe Qeverisë me qëllim rritjen e rolit të pazëvendësueshëm të saj për zhvillimin e vendit.