Interpoli dhe Katari organizojnë në Doha konferencën mbi sigurinë e ngjarjeve të mëdha

Konferenca e parë për sigurinë e Aktiviteteve të Rëndësishme dhe Eventeve të Mëdha u lançua dje të Hënën në Doha. Kjo konferencë u organizua nga Komiteti i Lartë Katarian për Projektet dhe Trashëgiminë, në bashkëpunim me Interpolin (The International Criminal Police Organization).

Konferenca e cila përfundon punimet e saj sot, u përshëndet me fjalën hapëse të Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Brendshme të Katarit, Sheikh Abdullah bin Nasser bin Kalifa Al Tani, dhe morën pjesë  350 ekspertë të sigurisë nga 65 vende dhe organizata ndërkombëtare, si dhe përfaqësues të 192 vendeve anëtare të Interpolit.

Konferenca diskutoi kërcënimet që mund të cënojnë garat e mëdha sportive dhe aktivitete të tjera të rëndësishme, luftën kundër terrorizmit dhe dhunës, kërcënimet kibernetike, si dhe mënyrat më efikase për ti adresuar ato.

Gjatë fjalës së tij, Sekretari i Përgjithshëm i Interpolit Jürgen Stok, i bëri thirrje të gjitha shteteve për "përpjekje të përbashkëta në adresimin e një game në zhvillim të kërcënimeve që rrethojnë këto ngjarje".

Konferenca synon gjithashtu të krijojë një Qendër Ndërkombëtare dhe një rrjet të specializuar në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, për të lënë një trashëgimi të përhershme pas Botërorit 2022, në mënyrë që organizimi i eventeve të mëdha botërore sportive të garantohet në kushte të sigurta.

Gjatë punimeve dyditore u shqyrtuan tre tema kryesore, ku morën pjesë më shumë se 30 ekspertë nga agjencitë e zbatimit të ligjit, komitete qeveritare dhe akademike, të cilët diskutuan kornizat ligjore, sigurinë fizike dhe kibernetike, çka do të kontribuojë në planifikimin dhe zbatimin e masave të sigurisë gjatë eventeve të mëdha sportive në nivel ndërkombëtar.

Ndër temat e tjera që u diskutuan gjerësisht në këtë konferencë, ishin vizioni i Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit rreth kërcënimeve aktuale të sigurisë, kërcënimet eventuale dhe të ardhshme që mund të paraqesë ISIS-i dhe pasojat e këtyre kërcënimeve mbi eventet dhe aktivitetet e mëdha. Pjesëmarrësit ofruan modele të punës policore dhe të sigurisë gjatë eventeve të mëdha dhe hodhën dritë mbi përvojat evropiane dhe një numër vendesh të tjera në këtë fushë.

Kjo konferencë është në të njëjtën kohë një mundësi për Katarin që t'i tregojë botës përgatitjet dhe nismat që po zhvillon në pritje të Kupës së Botës që do të mbahet në Katar më nëntor të 2022 -shit. Komisioni Katarian i sigurisë pritet të nënshkruajë një marrëveshje me Interpolin për të garantuar një organizim unik e të veçantë të Botërorit 2022.