Çunat e ‘mirë’ të krimit dhe çunat e ‘këqij’ të mediave

Mbrëmë, 7 nëntor 2017, në emisionin Opinion të Blendi Fevziut ka ndodhur një ngjarje e rrallë ose më saktë e papërsëritshme. Lorenc Vangjeli, përfaqësuesi mediatik i Ramës dhe një nga miqtë e ngushtë të familjes Xhafa, duke dashur të mbrojë qeverinë dhe më konkretisht ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj si dhe vëllanë e tij Agron Xhafaj ka artikuluar një nga marrëzitë më të mëdha në këto 27 vjet, duke i dhënë mbështetje në realitet lidhjes së krimit me politikën, ose më saktë kabinetin Rama.

Lorenc Vangjeli, gjatë ndërhyrjes së tij, e ka cilësuar vëllanë e dënuar të ministrit të Brendshëm, Agron Xhafën, si superinteligjent dhe një rastësi implikimin e tij, dy herë, në trafikun e drogave të forta, në Europë e Amerikë. Madje ka shkuar edhe më tej duke deklaruar se Agron Xhafaj është shumë më inteligjent se vetë vëllai i tij, ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe nëse do të ishte në krye të listës së PD do të siguronte më shumë deputetë, pra edhe më i zoti për të grumbulluar vota sesa Lulzim Basha e kushdo tjetër në PD.

Ky rast tregon se çfarë lidhjesh të forta ka krimi me politikën dhe çfarë ndikimi ka kjo lidhje e fuqishme e krimit me politikën mbi median, apo më saktë sesi është vendosur a sponsorizuar media e Ramës në shërbim të krimit dhe të lidhjes krim-politikë. Të mbrosh në një emision ku trajtohen çështjet e lidhjes së krimit me politikanët dhe të ndëshkimit të politikanëve të lartë, çështje të evokuara edhe nga ambasadori amerikan, është një shërbim i vyer që i bëhet krimit dhe politikanëve të lidhur me krimin duke dekonspiruar lidhjen e tyre me median.

Rama natyrisht është porositësi dhe pagatori i këtij shërbimi të shëmtuar në mbrojtje të lidhjeve të krimit me qeverinë e tij, jo vetëm nga Lorenc Vangjeli por nga një grup gazetarësh, opinionistësh, analistësh e gjithëfarë lloj personazhesh të tjerë që dalin në ekranet televizive, median e shkruar apo portale a median sociale. Shërbim që as vetë zv/ministri i Brendshëm, përfaqësuesi zyrtar i qeverisë nuk kishte as guximin dhe as moralin ta mbronte duke preferuar nga turpi të mos merret pjesë në emision.

Ajo që është më shqetësuese në këtë rast është mënyra e mbrojtjes së lidhjeve krim-politikë-media duke promovuar krimin, inteligjencën e kriminelëve dhe aftësitë e tyre të rralla për blerjen e votave e realizuar kërcënimin e votuesve. Nuk është parë e dëgjuar asnjëherë më parë në një emision televiziv një reklamë e tillë kaq ekstreme për kriminelët e kapur dhe të dënuar në Europë e Amerikë, duke i paraqitur jo vetëm si superinteligjentë por edhe si mjeshtëra të grumbullimit të votave e “çuna të mirë”.

Lorenc Vangjeli, avokati aktual i Ramës, në këtë rast mbrojti jo thjesht Agron Xhafën, por disa teza të aplikuara nga Rama për fitimin dhe mbajtjen e pushtetit përmes parave të korrupsionit, krimit e trafiqeve. Ai mbrojti së pari tezën se kriminelët janë inteligjentë, çuna të mirë dhe më të aftë se kushdo tjetër për të grumbulluar vota e zgjedhur deputetë. Së dyti ai promovoi me pasion tezën e kandidimit të kriminelëve për deputetë në parlament, si personat më adaptë se kushdo tjetër që ndodhet ne kuvend, aktualisht apo më parë. Së treti promovoi aftësitë e kriminelëve për të përfaqësuar qytetarët në mënyrë dinjitoze në parlament, si individë që njohin dhe zgjidhin hallet e tyre. Së katërti ekspozoi, me ose pa dashje, lidhjet e medias dhe eventualisht edhe të disa analistëve me krimin dhe paratë e pista të krimit e të trafiqeve, detyrë që në fakt ja ka ngarkuar me pagesë Rama.

Dhe trupërisht e nxori vëllanë e Agronit, pra Fatmirin një individ të paaftë që është në postin e deputetit dhe të ministrit të Brendshëm në sajë të votave të grumbulluara nga i vëllai dhe sugjerimit të ambasadorit amerikan, madje edhe jashtë dëshirës së vetë Ramës, një shërbim tjetër i vyer që i bëri Ramës si një person jashtë të gjithë kësaj historie. “Turp e neveri” do të shpreheshin në rrjetet sociale të gjithë komentuesit.