Paralajmërimi i gazetares: Ambasadori Lu di më shumë se kaq, në Janar priten arrestime të bujshme

Gazetarja e kronikës, Anduena Llabani teksa komentoi deklaratën e sotme që bëri ambasadori i SHBA-ve Donald Lu për arrestimin e peshqve të mëdhenj, u shpreh se diplomati di më shumë se kaq.

Duke marrë shkas nga deklarata e Lu-së, gazetarja e ftuar në ‘Studio e hapur’ në “News24” paralajmëroi se në janar do të ketë arrestime të ‘peshqve të mëdhenj’ që sipas saj mund të jenë zyrtarë të lartë institucionesh.

“Pavarësisht gjuhës diplomatike, që është hera e dytë që jep një deklaratë, mendoj se ambasadori Lu di më shumë se kaq. Mendoj se në janar do ketë arrestime. Emrat që ai përmendi janë emra të konsumuar, është marrë një vendim për ta. Përveç kësaj, Lu na thotë se bashkëpunëtor të këtyre personave, kemi dhe njerëz të tjerë që janë të lidhur me ta. Është një paralajmërim që ua jep këtyre njerëzve. Deklarata e tij nuk shikohet si dekonspirim. Unë them se ka zyrtarë po aq të lartë që drejtojnë institucione në qytete të ndryshme të vendit, që pritet të kenë probleme me drejtësi. Kryetarë bashkishë janë ‘peshq të mëdhenj’”, tha Anduena Llabani.