Shkatërrohet rrjeti i krimit që trafikonte emigrantë shqiptarë në Britani, dhjetëra arrestime

Një rrjet kontrabanduesish që u përpoq të dërgonte emigrantë shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar është shkatërruar në Greqi. Rrjeti i kontrabandës së njerëzve me bazë në Athinë është shkatërruar pas një operacioni që përfshiu autoritetet britanike, spanjolle, greke dhe shqiptare, raportojnë mediat ndërkombëtare.

Banda u ofronte emigrantëve shqiptarë pasaporta të rreme greke dhe qipriote në një përpjekje për t’i futur ata në Britani të Madhe.

Agjencia Kombëtare e Krimit të Britanisë (NCA) kishte kuptuar se qindra përpjekje ishin bërë brenda një viti nga emigrantët, të cilët fluturonin përmes Spanjës, Italisë dhe Suedisë duke përdorur pasaporta të rreme dhe bileta udhëtimi.

Shtatë grekë dhe 13 shqiptarë u arrestuan dhe të gjithë do të ndiqen penalisht në gjykatat greke.

“Ky rrjet i organizuar kriminal mund ta ketë pasur bazën në Greqi, por në shënjestër kishte Mbretërinë e Bashkuar”, tha zëvendësdrejtori i NCA (Agjencia Kombëtare britanike e Krimit) Tom Dowdall.

“Zyrtarët tanë kanë qenë në gjendje të punojnë dhe të ndajnë informacione të rëndësishme me partnerët e tyre grekë për të realizuar këto arrestime” shtoi Dowdall.

“Ky operacion demonstron se sa shpesh duhet të punojmë larg brigjeve tona për të mbrojtur kufirin e Britanisë së Madhe dhe për arrestuar kriminelët e përfshirë në kontrabandimin e njerëzve“, shtoi Dowdall.

‘Shërbimi i garantuar’

Banda premtonte një “shërbim të garantuar” dhe ofronte përpjekje të shumëfishta hyrjeje nëse ata refuzoheshin në përpjekjen e parë.

NCA nisi projektin “Invigor”, i cili siguroi informacion, nëpërmjet Europolit dhe policisë greke pasi hetonin burimin e pasaportave të rreme dhe dokumenteve të udhëtimit.

Më 31 tetor dhe 1 nëntor, policia greke ngriti disa adresa në Athinë, arrestoi 20 vetë dhe mbylli katër laboratorë të dyshuar për krijimin e dokumenteve ku u prodhuan dokumente të rreme.

Qindra pasaporta dhe karta identiteti u kapën së bashku me 55,000 euro (67,000 dollarë amerikanë) dhe një armë.

Banda gjithashtu siguronte dokumente të rreme për shqiptarët që ishin tashmë në Mbretërinë e Bashkuar për t’u mundësuar atyre gjetjen e një pune duke u paraqitur si shtetas grekë, qipriotë ose boshnjakë.

Emigrantët nga Shqipëria

Shqipëria nuk është anëtare e Bashkimit Evropian dhe shtetasit shqiptarë nuk lejohen të jetojnë ose punojnë në shtetet anëtare të BE-së, megjithëse dhjetëra mijëra jetojnë në atë që konsiderohet ekonomi e zezë në Greqi dhe Itali.

Në fund të viteve 1990 disa shqiptarë u paraqitën si refugjatë kosovarë që ikën nga lufta civile atje për të hyrë në Britani.

Shqiptarët do të hipnin në avionë për në Mançester, Liverpool, Newcastle dhe Edinburg dhe i kishin paguar trafikantëve rreth 4,000 Euro për dokumentet e rreme.