Detajet/ Paratë që iu bllokuan zotërisë '860 mijë euro' ishin hedhur kuturu në çantë...

Të tjera detaje janë zbuluar nga bllokimi i shumës mbi 860 mijë euro që iu kapën 25-vjeçarit, Orest Sota.

Burime nga grupi hetimor bënë të ditur për syri.net se paratë ishin hedhur të pasistemuara në çanta, çka duket se ka shtuar dyshimet mbi sasinë e parave të sekuestruara.

Burimet bëjnë me dije se në momentin e ndalimit nga policia në automjetin luksoz të 25 vjeçarit, paratë ndodheshin në sediljen e pasme të mjetit, ndërsa mbaheshin nga një person që fillimisht u identifikua si shoferi i Sotës.

Çudia vijon me faktin se automjeti drejtohej nga 25-vjeçari, edhe pse personi i dytë sipas prezantimit fillestar, ishte shofer i tij, ndërsa Orest Sotës i ishte pezulluar patenta për shkak të shkeljeve të vazhdueshme në rregullat e qarkullimit.

Sikundër raportohet, hetimet po përqëndrohen edhe në faktin sepse paratë, që sipas shpjegimeve të dhëna do të përdoreshin për blerjen e një sasie hekuri, nuk ishin sistemuar, por ishin hedhur në mënyrë të çrregullt në çanta.

Bashkë me paratë, policia sekuestroi edhe dy patenta për mjete lundrimi detar, në emër të ish-ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri, për të cilën u tha se ato ishin harruar në automjet nga shoferi i tij.

Por duket se versionet e dhëna nuk kanë bindur prokurorët, për faktin se patenta është dokument personal dhe që nuk ka asnjë arsye sepse ato mund të merreshin nga një person tjetër dhe të harroheshin në automjetin e Sotës, pavarësisht lidhjeve që mund të kishte mes tij dhe shoferit të Tahirit.

Burimet shprehen se referuar faktit se patentat janë tërhequr nga vetë Tahiri, pikëpyetja që mbetet për tu zbardhur është sepse ato pas disa muajsh duhej ti jepeshin shoferit të tij, ose pse ai duhej t’I kishte në posejdim deri në momentin e harrimit, sikundër është pohuar.

Sipas drejtorit të Autoritetit Portual që ka firmosur rinovimin e patentës së Tahirit, ky i fundit është është paraqitur vetë në zyrën e tij dhe ka marrë patentën e rinovuar brenda ditës, në muajin korrik. Ndërkohë që në fillim të muajit nëntor, pra rreth 3 muaj më pas patentat u gjetën në automjetin e 25 vjeçarit, me justifikimin që ishin harruar nga shoferi./syri.net/