Shqiptari shpallet lojtari i muajit në Zvicër

Albian Ajeti ka fituar zemrat e tifozëve në Zvicër, pasi ka marrë 29.7% të votave, në sondazhin e hapur nga gazeta e njohur “Blick”.

Shqiptari që luan për skuadrën e Basel është shpallur lojtari i muajit tetor në Zvicër, duke lënë pas mbrojtësin e Young Boys, Kevin Mbabut, me 27.2% të votave.

Albian Ajeti u bashkua me skuadrën e Baselit vetëm gjatë muajit tetor, pasi u transferua nga skuadra e St Gallen. Paraqitjet e tij me Baselin kanë qenë të shkëlqyera, duke shënuar dy gola që kanë rezultuar të rëndësishëm për ekipin e tij.

Albian Ajeti është vëllai i Arlind Ajetit, mbrojtësit të ekipit kombëtar të Shqipërisë. Ai luan te skuadra e Baselit së bashku me mesfushorin e Kombëtares shqiptare, Taulant Xhaka.