Ky është ekipi më i pafat i Serie A, mësoni për çfarë bëhet fjalë

Nëse Napoli dhe Juventus po luftojnë për vendin e parë në kampionatin italian, ekziston një renditje tjetër që “vlerëson” dy skuadra të tjera: Roma dhe Inter.

Bëhet fjalë për një klasifikim të veçantë, që ka të bëjë më shtyllat dhe traversat të goditura në këto 12 javë të parë të kampionatit.

Formacioni më i pafat në kategorinë kryesore të futbollit italian është pikërisht Roma e Eusebio di Francescos, e abonuar me shtyllat e portës së kundërshtarëve dhe me një ndeshje për të rikuperuar, ashtu si Lazio e Simone Inzaghit.

Skuadra verdhekuqe ka goditur plot 11 herë në shtyllë dhe traversë: tri më shumë se Interi i Luciano Spallettit. Menjëherë pas zikaltërve është Juventus (me 7 shtylla), Fiorentina, Lazio (6) dhe Napoli me 5.

Ndërkohë, lojtari më i pafat dhe që ka dhënë kontributin më të madh për këtë kryesim është Edin Dzeko. Siç ka treguar portali zyrtar i Lega Serie A, sulmuesi boshnjak ka goditur katër herë shtyllat e portës kundërshtare në 11 ndeshje të luajtura në kampionat.

Pas tij është Immobile me tre dhe një listë e gjatë lojtarësh që përfashin mes të tjerëve Ivan Perisic dhe Matias Vecino të Inter, Douglas Costa, Paulo Dybala dhe Gonzalo Higuain (Juventus), Nikola Kalinic (Milan), Piotr Zielinski (Napoli) dhe Aleksandar Kolarov me Diego Perottin.

Në fund, Interi i Luciano Spallettit, që mban vendin e dytë në renditjen e ekipeve pa fat në Serinë A, nuk mund të ankohet për sa i takon shtyllave të pësuara. Bashkë me Beneventon, milanezët janë skuadra që është ndihmuar nga fati në shtatë raste. Aty ku Handanovic nuk ka arritur dot, ka shkuar fati i mirë, që ka ndihmuar zikaltrit të shmangin golin.

Pjesë e kësaj liste janë edhe Lazio, Napoli, Sampdoria dhe Sassuolo, që ndjekin milanezët me 6 shtylla të pësuara. Në fundin e renditjes së skuadrave me fat ndodhte Juventusi i Allegrit, e ndihmuar vetëm 1 herë nga shtyllat e portës së mbrojtur nga Gianluigi Buffon.