Thirrja e dëshpëruar e familjes së njërit prej viktimave: Duan drejtësi, Policia dhe prokuroria 1 me krimin

Babai i një prej viktimave të atentatit në Lushnjë, Fatos Latifi, ku mbetën të vrarë dy të rinj pak kohë më parë, mes tyre edhe djali i tij, Zamiri, ka bërë sot një deklaratë për mediat ndërsa i bënë thirrje shtetit që të zbardhë ngjarjen.

Familja Latifi pohon se në asnjë rast nuk kanë menduar apo diskutuar që të bëjnë drejtësi përmes hakmarrjes, ndërsa gjithçka ja kanë lënë në dorë shtetit. Mes të tjerash familja Latifi pohuan se policia dhe prokuroria e Lushnjës, është një me krimin.

Reagimi i familjes Latifi

Unë babai i Zamir Latifit, Fatos Latifi bashkë me familjen time deklaroj se nuk kam menduar apo diskutuar ndonjë moment për hakmarrje. Unë e kam lënë çdo gjë në dorë të shtetit duke menduar se shteti dhe ligji do të më ndihmojnë për atë çka ndodhi dhe se do vendosin drejtësi.

Policia dhe prokuroria e Lushnjës është bërë një me krimin. U bënë kaq ditë dhe as policia dhe as prokuroria nuk është marr me hallin që kemi ne, por përkundrazi po ndihmon autorët e krimit që të largohen nga Shqipëria. Atentatorët kërkojnë t’i heqin familjaret e tyre nga Shqipëria që të jenë të lirë, të veprojnë përsëri. Kam kërkuar takim me zotin Rama dhe nuk mora përgjigje, njëkohësisht kërkova dhe takim me ministrin e Brendshëm zotin Xhafa por nuk ma afruan këtë mundësi. Në këto kushte u bëj apel nëpërmjet medias që të vendosin drejtësi për masakrën që u kushtoi jetën dy djemve të rinj në qytetin e Lushnjës dhe të parandalojnë humbjen e jetëve të tjera të pafajshme.