Akuza e fortë, Monika Kryemadhi flet për 'narko-diplomatë'. Kush janë?

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, e ka akuzuar sot Kryeministrin Edi Rama si "kryeministrin e krimit të organizuar", të cilin nuk mund ta shpëtojnë dot as 'narko-ndërkombëtarët", deklaratë e cila ngre pikëpyetje të shumta mbi atë që po zhvillohet në prapaskenën politike dhe për cilët ka aluduar Kryemadhi.

"Çdo ditë Kryeministri i Krimit të Organizuar po deligjitimon institucionet demokratike dhe po e zhvendos përballjen jashtë institucioneve, atje ku ai s’ka parë gjë akoma, - paralajmëroi Kryemadhi, por duke theksuar se "projekti i tij për Shqipërinë si Narko-Shtet Demokratik është i pashpresë dhe nuk ka Narko-Ndërkombëtar që ta shpëtojë atë, edhe pavarësisht nga lobimet e tij me pagesa marramendëse të një të papërgjegjshmi që kërkon të marrë peng të ardhmen e një kombi të tërë."

FJALA E KRYEMADHIT

Në këtë dalje publike, dua të falenderoj të gjithë delegatët e Konventës Kombëtare, si dhe të gjithë anëtarët e simpatizantët e LSI-së.  Dua të rikonfirmoj edhe njëherë mbështetjen që konventa i dha grupit parlamentar dhe kryesisë së LSI-së, në luftën pa kompromis kundër bandave dhe krimit të organizuar, kundër oligarkëve të kazanit të rilindjes me super konçensionet e tyre kriminale. Kundër atij segmenti drejtues të policisë, të vendosur nën thundrën e Rilindjes, që Edi Rama u bëri thirrje hapur për të hedhur kapelet e të mblidhnin vota për Rilindjen. Miliardave të plantacioneve të kanabisit e drogave të tjera që u hodhën pafund për blerje votash, por edhe në blerjen e bojkotit të atyre votuesve që ishin Anti-Rilindje.  Çmontimi i këtyre katër shtyllave është misioni ynë dhe shpëtimi i demokracisë e shtetit ligjor! Nuk do të lejojmë realizimin e projektit të vërtetë të Rilindjes, për një Shqipëri narko-shtet demokratik. Edi Rama nuk është zgjidhja e problemit, por ai është vetë burimi i problemit e peng i krimit të organizuar. Ishte Edi Rama që futi në Parlament dhe në zgjedhjet bashkiake persona dhe individë  me precedent penal e me të kaluar kriminale. Ishte ai që mbronte kriminalizimin e politikës shqiptare e pengonte dekriminalizimin e saj.

Çdo ditë Kryeministri i Krimit të Organizuar po deligjitimon institucionet demokratike dhe po e zhvendos përballjen jashtë institucioneve, atje ku ai s’ka parë gjë akoma. Projekti i tij për Shqipërinë si Narko-Shtet Demokratik është i pashpresë dhe nuk ka Narko-Ndërkombëtar që ta shpëtojë atë, edhe pavarësisht nga lobimet e tij me pagesa marramendëse të një të papërgjegjshmi që kërkon të marrë peng të ardhmen e një kombi të tërë. Vullneti politik i LSI-së është vullneti i qindra mijëra njerëzve të thjeshtë që refuzojnë qeverinë e drogës dhe të krimit.  Që refuzojnë të qeverisen nga një kryeministër, telekomandën e të cilit e ka në dorë krimi i organizuar. Refuzojnë të qeverisen nga një kryeministër që ka vetëm një objektiv, të burgosë të varfër, të madh e të vogël, të cilët nuk kanë mundësi të kapërdijnë kafshatën e mjerimit, e jo më të paguajnë faturat e energjisë, apo të ujit të pijshëm. Ky njeri kërkon të qeverisi vendin me kriminelët dhe ortakët e tij. Reforma në Drejtësi tashmë ka rënë. Të gjithë e pamë dhe e dëgjuam dje një Kryeministër që kërkon të bëjë: policin, hetuesin, prokurorin e gjykatësin.  Ky kryeministër që mishëron regresin, të keqen, negativen, i dhanë përgjigjen mijëra anëtarë të LSI në Konventë. S’ka më asnjë kohë për të humbur. Rama po i hap përditë plagë të thella Shqipërisë dhe familjes shqiptare. Rezoluta e Konventës së LSI-së është pikërisht ajo që Shqiptarët na kanë kërkuar.  Kjo vetëdije politike po forcohet orë pas ore dhe ditë pas dite, duke u kthyer në vullnet popullor.