Gjermania do të ketë një satelit spiunazhi të vetin

Përgjimi mes miqve - kjo nuk shkon", u shpreh kancelarja, kur doli në pah që shërbimet sekrete të SHBA-së ishin interesuar edhe për celularin e saj. Tani RFGJ-ja do që të pajiset edhe vetë më mirë për spiunazhin.

Teknikë të sipërmarrjes së Bremenit OHB mund të prodhojnë satelitë - në fotografi nga arkivi i sipërmarrjes, që tregon një punonjës duke instaluar një transportues hapësinor.

Sipas njoftimit të gazetave, Gjermania do të ketë një sistem të vetin spiunazhi në hapësirë për Shërbimin Federal Informativ (BND). Këtë muaj mund të jepet mandati për ndërtimin e tre satelitëve, njoftojnë gazetat e Rrjetit Redaksia Gjermani duke iu referuar qarqeve të sigurisë në Berlin. Grupi i Besimit në komisionin parlamentar për buxhetin në Bundestag ka vënë për këtë 400 milionë Euro në dispozicion. Vëllimi i përgjithshëm financiar nuk është bërë i ditur.

Një sistem me emrin "Georg"

Shërbimi Federal Informativ duhet të jetë në gjendje "të marrë shpejt dhe në mënyrë të mëvetësishme informacione, për të vlerësuar shpejt dhe në mënyrë të pavarur gjendjen", thuhet në një dokument nga kancelaria, të cilin e kanë në dorë edhe gazetat. Airbus dhe koncerni Hapësinor i Bremenit OHB ndërkohë kanë bërë ofertën për sistemin "Georg" të planifikuar për BND-në. Në Berlin spekulohet edhe për një ofertë të mundshme të koncernit izraelit të armatimeve IAI, i cili ndër të tjera prodhon edhe dronin  "Heron".

Nuk është e mjaftueshme, që të blihet material fotografik në tregun komercial ose të pyeten partnerët, argumentohet në këtë dokument. Grupi parlamentar i partisë "E Majta" është pozicionuar duke i refuzuar këto plane. "Bundeswehr-i disponon ndërkohë një sistem përkatës, që ndoshta mund të optimalizohet", i tha redaksisë së rrjetit të gazetave André Hahn, nënkryetar i grupit të Bundestagut për kontrollin e shërbimeve sekrete.