Anketa e 'Washington Times': Të zhgënjyer nga kapitalizmi, të rinjtë amerikanë duan socializmin

Një raport i kohëve të fundit i botuar nga Fondacioni në Kujtim të Viktimave të Komunizmit, zbulon preferencat mbi sistemet politike të përfaqësuesve të së ashtuquajturës “gjeneratë Y”.

Sipas dokumentit, pjesa dërrmuese e këtij brezi, e lindur mes viteve 1980-2000, preferon socializmin në krahasim me kapitalizmin.

Pothuajse 44% e të anketuarve të brezit “milenial” do të zgjidhte të jetonte në një vend socialist, ndërsa pjesa më e madhe e të rriturve preferon të shohë dominimin e kapitalizmit.

Të rinjtë preferojnë më shumë socializmit dhe komunizmin se pjesa tjetër e shoqërisë. 59% e të gjithë të anketuarve zgjodhën kapitalizmin si sistemin e tyre të preferuar, krahasuar me 34% që zgjodhën socializmin, 4% fashizmin dhe 3% komunizmin.

Përveç kësaj, 7% e të anketuarve do të zgjidhnin komunizmin dhe 7% do të zgjidhnin fashizmin sipas “The Washington Times”.

Sipas autorëve të raportit, arsyeja e mundshme e shifrave të larta në favor të socializmit sugjeron se të rinjtë mendojnë se ekonomia amerikane nuk është në favor të tyre.

Politologu Adrian Boutureira argumenton se kushtet ekonomike kanë krijuar një situatë në të cilën ky brez ka humbur besimin tek e ardhmja e tij.

Sipas ekspertit, përkeqësimi i kushteve të punësimit, sistemit arsimor, si dhe mungesa e progresit në pagën minimale “kanë sjellë” një situatë në të cilën kjo gjeneratë “e gjen veten pa shpresa për të ardhmen”. Të rinjtë e kuptojnë se kapitalizmi “nuk u ofron atyre mundësitë që ndoshta u janë premtuar”.

Përveç kësaj, Boutureira shpjegon se bëhet fjalë për “një dështim të tregjeve, të cilat nuk krijojnë garancitë që të rinjtë meritojnë”.