PD bojkoton Komisionin e Ligjeve: S'mund të diskutohet me një qeveri të krimit

Partia Demokratike e ka bojkotuar sot sërish Komisionin e Ligjeve, ku po diskutohet Buxheti i vitit 2018, në shenjë proteste ndaj mbrojtjes që mazhoranca po i bën deputetit Saimir Tahirit, i akuzuar nga prokuroria për lidhje me trafikun e drogës dhe bandat kriminale gjatë kohës kur ishte Ministër i Brendshëm. 

Deputeti Eduard Halimi tha se nuk mund të diskutohet me një qeveri të krimit dhe kujtoi edhe rastin e fundit, fshehjen e fakteve nga Policia e Shtetit lidhur me arrestimin e një biznesmeni, të cilit iu gjetën 863 mijë euro dhe dy patenta të ish-ministrit Saimir Tahiri. 

"Në një situatë normale, - tha Halimi, -  ne do të diskutonim për këtë ligj kaq të rëndësishëm. Por kjo ndodh në një qeveri normale, jo në një qeveri të lidhur me krimin dhe drogën. Qeveria është e kapur në flagrancë me krimin. Në vend që të mbante anën e drejtësisë, i doli në krah Habilajve. Pak ditë më parë u kam me 863 mijë euro dhe me patentat e ish-ministrit Tahiri që betohej se s’kishte patentë skafi. Ose biznesmeni, ose Kurumi duhet të shkojë në burg. Arrestimi i biznesmenit është bërë pak metra larg burgut të Elbasanit. Furgoni i Policisë së burgut ka ndërhyrë në këtë ngjarje, që e ka fshehur Policia.”