Ja faktet e reja që rrëzojnë alibinë e Orest Sotës për blerje të hekurit tek 'Kurum'

Dyshime të tepërta janë shtuar rreth origjinës së shumës së parave të Orest Sotës, biznesmenit 25-vjeçar, i cili u kap në makinën e tij me 863 mijë euro dhe dy patenta në emër të Saimir Tahirit, si pagesë që duhet të bënte për blerje hekuri pranë kompanisë “Kurum”.

Duket se kjo alibi ka rënë poshtë, për vetë faktin se Kurum Albania në muajin shkurt të 2016-ës, ka paraqitur kërkesën për falimentim pranë Gjykatës së Tiranës, duke bërë kështu të pamundur çdo aktivitet tregtar më të. Kjo e dhënë vërtetohet edhe nga esktrakti historik i regjistrit tregtar në QKR.

Shuma e 863 mijë eurove është ende e paqartë se kujt i përket edhe për faktin se më një shumë të tillë ndoshta shtetasi i ndaluar nuk e ka ditur se mund të blesh 2 000 ton hekur, që normalisht është sasi që transportohet me vapor ose 70 kamionë të ngarkuar, që asnjë kompani nuk mund t’i shesë cash, gjë që e kanë mohuar dhe drejtuesit e kompanisë ‘Kurum’.

Për më tepër, “Kurum” nuk ka vepruar kurrë me tregëtinë e hekurit në formën e cash me shuma më të madhe se sa ato që lejon ligji shqiptar.

Mësohet se gjatë seancës gjyqësore, e cila është zhvilluar me dyer të mbyllura, 25-vjeçari Sota e ka justifikuar shumën e 863 mijë eurove si pagesë që duhet të bënte për blerje hekuri pranë kompanise “Kurum”.

Nga ana tjetër, Lefter Sota, babai i Orestit; deklaroi për mediat se eurot kanë qenë të tijat dhe djali ishte nisur të paguante një faturë. Pikëpyetjet në lidhje me shumën e parave janë shtuar së tepërmi në kohën kur një sasi aq e madhe, 863 mijë euro kesh, gjenerojnë të pashoqëruar me asnjë faturë apo mandat.

Ngjarja e Elbasanit ngre disa pikëpyetje të forta dhe që vënë në pozitë të vështirë, pikë së pari policinë. Ajo vërtet publikoi lajmin, por në deklaratën për shtyp ajo nuk flet për dy dokumentet e ish-ministrit të Brendshëm.

Drejtuesi i Policisë së Elbasanit, Altin Qato, pasditen e së shtunës foli për ngjarjen duke thënë se policia nuk ka fshehur asnjë gjë.

 “Çdo material që është sekuestruar në mjet, siç është edhe rasti i lejes së drejtimit lundrues i është referuar prokurorisë. Nuk është se ka fshehur policia, por referimi është bërë për tre veprat penale, sepse gjetja e një lejeje drejtimi nuk është vepër penale. Për shkak të vlerës së madhe financiare, ka dashur kohë këqyrja dhe numërimi dhe normalisht materialet do të mbërrinin në mëngjes në Prokurori, por prokuroria është njoftua menjëherë që është gjetur vlera monetare”, thotë drejtori i Policisë së Elbasanit, Altin Qato.