Tri makina i bien njera- tjetës në aksin Vlorë - Fier, 5 të plagosur

Klevis Deliaj, shoferi i një Audi, ka humbur kontrollin e makinës mbrëmjen e djeshme në aksin Vlorë - Fier dhe ka goditur nga pas një Hyundai. Pak minuta më pas, teksa palët po vërenin se ku ishin vrarë e ç'kishin pësuar, një Benz që nuk mundi t'i shihte prej errësirës, ka rrezikuar të përplasej me ta por ia ka rënë trafikndarëse. Për pasojë, 5 veta kanë përfunduar në spita: 3 shoferët dhe 2 prej pasagjerëve. Policia i ka vënë prangat burimit të aksidentit, Klevis Deliajt, 22-vjeçarit nga Vlora.

Njoftimi i Policisë Vlorë:

Më datë 02.11.2017, Salla Operative Vlorë është njoftuar nga një telefonatë se në autostradën Vlorë-Fier në aksin rrugor të Panajasë, janë përplasur 3 automjete.

Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe nga verifikimi paraprak kanë konstatuar se mjeti tip ''Audi'' me drejtues shtetasin K.D., 22 vjeç, gjatë drejtimit të mjetit ka humbur kontrollin dhe ka goditur nga pas mjetin tip ''Hyndai'' me drejtues shtetasin Q.M., 34 vjeç.

Si pasojë e përplasjes së këtyre dy mjeteve, errësirës dhe bllokimit të rrugës është përplasur me trafikndarsen edhe mjeti tip ''Benz'', me drejtues shtetasin D.L., 24 vjeç.

Për pasojë kanë mbetur të dëmtuar të tre drejtuesit e mjeteve si edhe 2 shtetasit pasagjer, Sh.L., 29 vjeçe ; E.M., 29 vjeç, jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor në përfundim të hetimit dhe përcaktimit të rrethanave të aksidentit ka arrestuar në flagrancë drejtuesin e mjetit tip ''Audi'', shtetasin :

Klevis Deliaj, 22 vjeç, banues në Vlorë, i dyshuar për veprën penale ''Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor''.

Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Vlorë për veprime të mëtejshme.