'Himara', protestë para Ambasadës shqiptare në Athinë

Qytetarë himariotë që banojnë në Greqi janë tubuar pasditen e të enjtes para selisë së Ambasadës shqiptare në Athinë.

Ata kanë protestuar kundër shembjes së banesave në Himarë, gjë që e cilësojnë si “plan për çrrënjosjen e tyre në kushte spastrimi etnik dhe shkelje të çdo nocioni të së drejtës”.

Nën  mbikqyrjen e forcave të shumta policore, ata kanë lënë në hyrje të Ambasadës një peticion, ku ndër të tjera shkruhej:

“Shprehim protestën tonë për rrënjën e gjithë të këqijave që nuk është tjetër veçse problemi i pronave, që po e torturon zonën tonë këto 27 vitet e fundit.Kërkojmë sanksionimin me ligj që pronat e banorëve të bashkisë së Himarës, që nga Llogaraja deri në Nivicë, t’u kthehen pronarëve të ligjshëm dhe trashëgimtarëve që u takojnë”.

Ata gjithashtu kërkojnë që të pezullohen shembjet e banesave derisa çështja të rregullohet me amendamente ligjore.

Në protestën e organizuar nga Unioni i Himariotëve të Athinës, pati një prezencë të fuqishme të partisë ekstremiste Agimi i Artë si dhe të një force të porsakrjuar politike, me emrin “E djathta e Re”.

Deputeti i Agimit të Artë, Kristos Papas, përsëriti kërkesën e tij që aviona luftarakë grekë të fluturojnë mbi qiellin e Himarës.

Papas gjithashtu u shpreh se emigrantët shqiptarë duhet të dëbohen nga Greqia, si dhe mos t’u jepen më leje qëndrimi.

Kristos Papas: Qeveria greke duhet të japë një përgjigje të fuqishme ndaj shembjes së banesave të vëllezërve tanë himariotë, të mbrojë në mënyrë dinamike përkatësinë greke të Himarës. Kjo do të thotë që si kundërmasë, të dëbohen emigrantët shqiptarë nga Greqia si dhe të ndërpritet dhënia e lejeve të qëndrimit shqiptarëve në Greqi. Ministria e Mbrojtjes të urdhërojë aviacionin luftarak grek të kryejë fluturime mbi qiellin e Himarës, si përgjigje ndaj akteve antigreke të qeverisë Rama. /Oranews