Kokainë me vlerë 80 mijë paund, 6 vjet burg për shqiptarin në Britani

Një shqiptar i kapur me kokainë me vlerë mbi 80 mijë paund u dënua këtë të enjte me 6 vite heqje lirie nga një gjykatë të Lincoln të Britanisë së Madhe.

Bush Hykaj, korrier droge, ra në pranga pasi policia, e cila ishte thirrur në vendngjarje lidhur me një incident tjetër, e gjeti atë të ulur jashtë banesës së tij në një makinë BMW, raportojnë mediat lokale.

Hykaj tha se nuk ishte makina e tij dhe se i kishte hedhur çelësat tutje në natyrë, në zemërim e sipër.  

Para gjykatës, prokurori Mark Watson tha: “Ai mund të ketë menduar se policia nuk do të kontrollonte në makinë. Por kur ata kotrolluan, gjetën një pako”.

Oficerët e policisë gjetën gjithashtu një çantë sporti që kishte brenda saj 844 gramë kokainë dhe 364 gramë kanabis.

Watson tha se nëse kokaina do të ishte hedhur në treg, ajo do të kapte vlerën e 84 500 euro.  Ndërsa sa i përket kanabisit, vlera e tij shkonte në rreth 3 000 paund.

Hykaj u mor në pyetje, por refuzoi të pranonte përfshirjen e tij në ndonjë vepër penale.

Megjithatë, 29–vjeçari me banim në St James Avenue, Peterborough, u deklarua fajtor për dy akuza.

“Ai është një ndërmjetës i paguar. Kjo është puna e tij. Ai pranon që nuk ishte hera e parë që ai bënte diçka të tillë”, shtoi më tej para gjykatës, prokurori Watson.

Ndërsa mbrojtësja ligjore Lisa Hardy, tha se Hykaj kishte qenë një përdorues i kokainës, por gjatë shtatë muajve të fundit kishte rritur përdorimin e tij të drogës.

Ajo tha: “Ai pranon se ishte i motivuar financiarisht. Efektivisht ai po financonte zakonin e vet”.

“Ai nisi të marrë kokainë rreth dy vjet më parë kur po ndihej i dëshpëruar. Gjendja u përshkallëzua gjatë shtatë muajve të fundit”.

Hardy tha se në kohën e arrestimit, Hykaj, i cili mbërriti në Britani të Madhe në anën e pasme të një kamioni në moshën 12 – vjeçare, ishte në një marrëdhënie afatgjatë dhe po planifikonte të lëvizte me partneren e tij për të filluar një jetë të re në Spanjë.

“Ai ka humbur shtëpinë e tij dhe partneren me të cilën kishte një lidhje afat-gjatë”, tha më tej mbrojtësja ligjore e shqiptarit ndërsa shtoi:

“Tani shqetësimi i tij është se ai do të përballet me dëbimin. Ai ka shumë pak të afërm në Shqipëri.”

“Ai e di se do të kalojë një periudhë të konsiderueshme të jetës në paraburgim. Dhe ai po e pranon fajësinë”.