Interi dy goditje në merkato për titullin kampion

Inter po përgatitet për merkaton e verës. Pak blerje, por të goditura. Ky është plani i zikaltërve. Objektivi është ai që të përmirësohet skuadra pa bërë shumë ndryshime brenda një grupi, që po funksionon shumë mirë nën drejtimin e Luciano Spalletti-t. Zikaltrit, deri tani, kanë marrë 9 fitore dhe dy barazime në kampionat dhe janë në luftë për një titull që mungon prej shtatë vitesh. Ata janë në vendin e dytë, dy pikë larg Napoli-t.

Për mesfushën, drejtuesit e klubit milanez po mendojnë për Ramires, ish-braziliani i Chelsea, i cili mund të largohet nga Jiangsu Suning për Inter-in me kosto zero, duke parë se klubi kinez është në pronësi të pronarëve aktualë të zikaltërve. Por ëndrra është Javier Pastore, shkruan telesport. Argjentinasi duket se nuk ka më dëshirë të qëndrojë te PSG dhe Inter po mendon t’i ofrojë francezëve një këmbim me Joao Mario, edhe pse argjentinasi duhet të pranojë të reduktojë rrogën aktuale që përfiton nga PSG, 9 milionë euro.

Ndërkohë, për mbrojtjen është zgjedhur Eliaquim Mangala. Spalletti do një alternativë për qendërmbrojtësit Skriniar dhe Miranda, që kanë qenë një mur i vërtetë për ekipet kundërshtare. Për këtë arsye, francezi paraqet një mundësi të artë, duke parë se nuk ka hapësira te Manchester City. Falë marrëdhënieve të mira me menaxherët, lojtari mund të merret në huazim.