Thaçi dekoron Tinka Kurtin, Margarita Xhepën dhe Zenepe Lukën

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur një delegacion të Fondacionit Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi”, të kryesuar nga kryetarja Zenepe Luka.

Presidenti Thaçi i i ka falënderuar përfaqësueset e delegacionit për vizitën në Kosovë dhe u ka shprehur mirënjohje për të arriturat secilës anëtare në fushat përkatëse.

“Ky fondacion tregon më së miri për marrëdhëniet e lira kulturore që sot mund të zhvillohen në mbarë hapësirat e banuara me shqiptarë”, ka thënë Thaçi.

Ndërsa, Kryetarja e Fondacionit Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi”, Zenepe Luka, e ka njoftuar presidentin me aktivitetin e këtij fondacioni. Ajo ka thënë se fondacioni mundohet të promovojë kontributin e gjithanshëm të gruas shqiptare në fushën e kulturës, shkencës, artit dhe shoqërisë.

“Fondacioni ka degë të shumta në mbarë trojet shqiptare”, ka thënë ajo.

Presidenti Thaçi i ka dekoruar me Medaljen Presidenciale të Meritave aktoret Tinka Kurti dhe Margarita Xhepa, si edhe kryetarja e Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi”, Zenepe Luka, për kontributin e tyre në kuadër të këtij fondacion.