VIDEO/ Meta: Dorëheqja e Ajazit, e papritur për mua. Dekreti për emrin e ri? Do ta shqyrtoj me qetësi

Çim Peka: Po e filloj më zhvillimin kryesor të ditës së djeshme, shefi i SHISH, Visho Ajazi Lika ka dhënë dorëheqjen. A ka dekretuar presidenti Meta dorëheqjen e tij?

Ilir Meta: Për të shuar kuriozitetin tuaj para se të nisesha për në studion tuaj kam firmosur dekretin për lirimin nga detyra të Drejtorit të SHISH-it, z. Visho Ajazi pas dorëheqjes së tij.

Peka: Po dekretin e emërimit në detyrë të njeriut të propozuar nga Kryeministri Rama a e keni firmosur?

Meta: Nuk ka asnjë emergjencë për arsye të faktit që zv/Drejtori i SHISH-it vazhdon detyrën.

Peka: Kur jeni njohur realisht me dorëheqjen e shefit të Shërbimit Informativ dhe a ka pasur ai garancinë tuaj se, në rast se Kryeministri Rama i bën presion për të dhënë dorëheqjen ju do ta mbronit?

Meta: Së pari, unë në natyrën time gjithmonë në krye të institucioneve kam respektuar parimin e vazhdimësisë dhe në rastin konkret, aq më tepër që bëhet fjalë për një institucion të një rëndësie të veçantë dhe për sigurinë kombëtare, kam qenë i bindur që vazhdimësia gjithmonë është pozitive, është e rëndësishme në këto lloj institucionesh.

Për pyetjen tuaj më konkrete, mund t’ju them që vetëm një javë më parë e kam siguruar z. Ajazi që ai do të kishte përkrahjen time të plotë si President i Republikës për të vazhduar detyrën e tij, gjithmonë duke u përqendruar me përkushtim në luftën kundër terrorizmit, në luftën kundër krimit të organizuar dhe natyrisht në përmbushje të detyrave të tjera që ka Shërbimi Informativ. Dhe ai më ka falënderuar për besimin. Kjo ka qenë thjesht për të konfirmuar një vazhdimësi, duke pasur në konsideratë edhe komentet e ndryshme mediatike që janë të zakonshme.

Peka: Ju po thoni se z. Ajazi para një jave ka marrë garancinë tuaj se do të vazhdojë në krye të SHISH-it.....?

Meta: Jo vetëm kaq, por edhe i kam konfirmuar që publikisht kur ta kisha një mundësi për t’u shprehur do të bëja qëndrimin tim publik në këtë drejtim, jo thjesht për z. Ajazi, pasi këtë garanci, mbështetje e ka pasur, por më shumë sa i takon efektivit të shërbimit informativ në terren në mënyrë që ata të vazhdonin detyrat e tyre sipas ligjit.

Të jemi më konkret, ju po thoni se ishit i gatshëm të firmosnit dekretin e dorëheqjes, por jo të shkarkimit të tij? A do të firmosnit një shkarkim në rast se do t’ua kërkonte z. Rama dhe nuk do të kishte një dorëheqje?

Së pari, dua t’u them se z. Rama nuk ma ka kërkuar një gjë të tillë. Për herë të parë i vetmi kontakt me z. Rama për këtë çështje ka qenë dje, kur ai më ka sjellë dorëheqjen e z. Ajazi bashkë me kërkesën e tij për lirimin e z. Ajazi.

Peka: Dorëheqjen e ka sjellë z. Rama te ju apo e ka sjellë z. Ajazi në Presidencë? Me sa di unë sipas Kushtetutës, shefi i SHISH-it dorëheqjen e paraqet fillimisht te Presidenti i Republikës...

Meta: Nuk dëshiroj të hyj në këto lloj modalitetesh, por nuk ka më asnjë rëndësi të harxhojmë edhe një minutë të vetme për këtë çështje, pasi është dekretuar tashmë lirimi i z. Ajazi nga kjo detyrë dhe ky ka qenë vullneti i tij. Nuk mund të mbahet askush në detyrë edhe një sekondë të vetme përtej vullnetit të tij.

Peka: Dorëheqja e tij ka qenë një surprizë për ju?

Meta: Dorëheqja e tij ka qenë e papritur për shkak të bisedës së zhvilluar një javë më parë. Nuk ka rëndësi, por nuk më çudit shumë. Janë gjëra që ndodhin. Unë e respektoj vullnetin e cilitdo.