Një arsye e fortë përse Visho Ajazi u largua tani nga drejtimi i SHISH?

Ka shumë arsye që janë paraqitur gjatë këtyre ditëve për të shpjeguar largimin e Visho Ajazit nga drejtimi i SHISH. Një nga pyetjet më të shpeshta është: Përse pikërisht tani? Përse jo më parë dhe jo më vonë? Nga një analizë logjike mund të arrihet në përfundimin e mëposhtëm.

Mënyra sesi Rama e dekoroi dhe sesi e përshëndeti dorëheqjen e Visho Ajazit lë të kuptohet se Rama kishte kohë që e mirëmendonte dhe e përgatiste me shumë kujdes këtë lëvizje. Pra largimi i Vishos s’është i rastësishëm për Ramën, madje është i mirë programuar. Po ashtu gjetja e një mirëkuptimi me presidentin tregon se të dy së bashku kanë qenë apo kanë rënë dakord që Visho Ajazi s’mund të kishte, për shumë arsye, mbështetjen e tyre. Veçanërisht Rama mesa duket e ka intriguar Metën duke i paraqitur shumë “fakte” sesi ish-drejtuesi i SHISH mund të kishte kaluar në duart e tij informacione komprometuese për enturazhin e këtyre dy personazheve.

Po ashtu gjetja e një kandidature “profesionale”, “të pëlqyeshme nga amerikanët”, të “pranueshme nga kryeministri e presidenti” dhe “të pa atakueshme nga opozita” të çon me shpejtësi te arsyeja e largimit të tanishëm të Visho Ajazit dhe zëvendësimit të tij me zëvendësin e Vishos. Sepse Ramës i duhej në krye të SHISH,në rastin më të keq, një person i padëmshëm e mosveprues, ndonëse do të kishte preferuar një besnik të tij, por që kjo do të mund të arrihej me një kosto shumë të lartë të panevojshme, e ndoshta kjo do të ishte e pamundur për tu arritur edhe për shkak të reagimit jo mirëkuptues të presidentit.

Pyetja shtrohet: dakord që Visho s’ishte i besuar për Ramën. Dakord që zëvendësi i Vishos plotëson kriterin për të qenë një person i padëmshëm për Ramën, por i pranueshëm për amerikanët e presidentin. Po përse kjo duhet të ndodhte pikërisht tani?

Pas daljes së implikimit të Tahirit dhe dyshimeve të arsyeshme edhe për daljen e emrave të tjerë nga kabineti qeveritar, shqetësimi i Ramës është rritur në ekstrem. Rama ndodhet në një dilemë të paimagjinueshme. Të dorëzojë Tahirin apo ministra të tjerë, emrat e të cilëve thuhet se do të dalin në ditët në vijim, apo ti mbrojë? Dorëzimi s’do të përbënte asnjë problem për të sepse ata janë thjesht kukulla që ai mund ti sakrifikojë pa asnjë lloj keqardhjeje. I vetmi shqetësim në këtë rast do të ishte se ata mund ta shantazhonin Ramën me informacionet që zotëronin për atë vetë por mbi të gjitha për vëllanë e tij Olsi Rama. Nëse do ti mbronte siç bëri në rastin e Tahirit (ndonëse mbrojtja e Tahirit është me thikë pas shpine) atëherë dalja e informacioneve nga shërbimet partnere mund të përshkallëzohej duke arritur së paku te emri i vëllait të tij Olsi Rama.

Pra arsyeja e vetme që e shqetësonte Ramën, gjatë këtyre ditëve apo javët në vijim, do të ishte dalja e emrit të Olsi Ramës, të implikuar në afera korruptive apo marrëdhënie me klane mafioze. Këto informacione mund ishin me burim nga SHISH apo edhe nga shërbimet partnere. Drejtori i SHISH në këtë rast do të kishte një rol: Të pengonte apo të mos lejonte qarkullimin e emrit të Olsi Ramës në rrjetin e informacioneve të SHISH për ta çuar më tej, i detyruar, në tavolinat e Kryeministrit e të Presidentit. Nga ky i fundit me shumë gjasa do të rridhte në rrjetin mediatik.

Ramës i duhej pikërisht tani dhe madje sa më shpejt pas daljes së aferave të Tahirit, që të vendoste në krye të SHISH një person që së paku do të merrte përsipër të ndalonte qarkullimin e emrit të Olsi Ramës në rrjetin e informacioneve “korruptive” apo “kriminale” të SHISH. Sigurisht që drejtori i ri i SHISH do ta pranonte një “kompromis” të tillë me kryeministrin ndonëse s’do të mund të pengonte që emri i vëllait të kryeministrit të mos qarkullonte në rrjetin e informacioneve të shërbimeve inteligjente partnere.

Nga kjo analizë logjike mund të arrihet në përfundimin se Rama e ka kërkuar me insistim tani dhe me shpejtësi largimin e mirë programuar prej kohësh të Visho Ajazit sepse është i tmerruar nga opsioni i nxjerrjes së informacioneve komprometuese për implikimin e vëllait të tij Olsi Rama në afera korruptive.

Natyrisht pengimi i qarkullimit të informacioneve kompromentuese të SHISH për Olsi Ramën do të ishte naive sepse shërbimet inteligjente partnere që bashkëpunojnë me SHISH do të gjenin rrugët të tjera që këto informacione ku do të përfshihej eventualisht emri i Olsi Ramës të arrinin në tavolinën e presidentit, në zyrat e opozitës, apo në veshët e publikut. Pra në fund të fundit edhe kjo zgjidhje s’do të mund të shpëtonte për gjithnjë Ramën por sigurisht që ai mund të fitonte pak kohë me një drejtor shërbimi që merr përsipër të pengojë qoftë edhe përkohësisht qarkullimin e emrit të Olsi Ramës në rrjetin e informacioneve inteligjente.