Zbulohen lista e aleatëve të Sorosit në Parlamentin Evropian

Dokumentet sekrete të zbuluara që përmbajnë lista me qindra eurodeputetë të cilët rrjeti i George Soros i konsideron “aleatë të besueshëm” duhet t’u bien kambanave të alarmit në të gjithë Evropën, thotë Hungaria.

Lista, e cila përfshin 226 eurodeputetë, përfshirë edhe ish-Presidentin e Parlamentit Evropian Martin Schulz, shtatë zëvendëspresidentë dhe një numër kryetarë komitetesh, koordinatorësh e kuestorësh, qarkullonte mes grupeve të Fondacionit për Shoqëri të Hapur të Sorosit dhe u zbulua nga DCLeaks.

“Nëse ky raport do të kërcënonte vetëm Hungarinë, nuk do të ishte problem. Qeveria hungareze është mësuar t’u kundërvihet akuzave të pabaza dhe informacionit të rremë të përdorur nga përkrahësit e programit të kësaj shoqërie të hapur radikale. Por këtë herë nuk bëhet fjalë thjesht për Hungarinë. E ardhmja e Evropës si e tërë është në rrezik”, paralajmëroi Dr. Zoltán Kovács, sekretari i shtetit për diplomacinë publike.

Zëdhënësi i qeverisë shtroi pyetjen se si Soros ishte në gjendje të takohej me Presidentin e Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker pa “asnjë axhenda transparente për takimin me dyer të mbyllura” dhe vuri në dukje se propozimet e BE për rishpërndarjen e numrit të emigrantëve brenda Unionit janë frikshëm të ngjashme me ato të planit të publikuar  nga Soros për manaxhimin e krizës.

Për qeverinë hungareze, pretendimet për ndikimin e Sorosit në politikën e BE për migracionin, të cilat dikur tingëllonin “si teori konspirative”, tani duhen parë në një dritë të re, pas daljes së dokumenteve të Fondacionit, të cilat “listojnë lojtarë-kyç në institucionet evropiane të cilët mund t’i llogarisim si aleatë të besueshëm të qëllimeve të spekulatorit financiar”.

“Mushqeta është e mbushur dhe gati për zjarr”, tha kryeministri hungarez Viktor Orbán më 27 tetor, pasi Komisioni i PE për të Liritë Civile, Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme (LIBE) propozoi ndryshime në rregullat e BE për azilin, të cilat do ta bënin skemën e kuotës së migrantëve një tipar të përhershëm të bllokut.

“Në Evropë, në të ardhmen, do të vendoset një mekanizën i përhershëm e i detyrueshëm kuotash i rilokacionit të migrantëve, pa tavan për numrat”.

“Fakti që një financier miliarder amerikan beson se BE duhet të marrë miliona emigrantë nga Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore, të pajisë secilin me ndihma vjetore me vlerë 15 mijë euro dhe t’i rivendosë këta migrantë në shtetet anëtare ku ata nuk duan të shkojnë dhe ku nuk janë domosdoshmërish të mirëpritur, është indinjues”, deklaron Dr. Kovács.

Marrë nga Breitbart News-Përgatiti: Dritan Ikonomi, SYRI.net