Nderim për Mihal Luarasin - Nga Sali Berisha

Dje është ndarë nga jeta në moshën 88-vjeçare, regjisori i mirënjohur Mihal Luarasi.

Në karrierën e tij të gjatë si regjizor i talentuar, vuri me sukses në skenën e Teatrit, por dhe atë të Operas dhe Baletit, një seri kryeveprash të letrave dhe artit botëror. Mihal Luarasi u përket atyre krijuesve të shquar, që në një seri veprash bëri përpjekje të mëdha dhe të guximshme të dilte jashtë rrymës zyrtare të antivlerave të realizmit socialist.

Për këto qëndrime, që do të kulmonin me Festivalin e 11-të të Këngës në RTSH, ai do të burgosej dhe dënohej si armik i partisë dhe socializmit me 8 vite burg. Pas lirimit punoi si bojaxhi deri në vitin 1990 dhe më pas u largua për pak kohë në Hungari, vendi ku ai kishte studiuar.

Më pas ai vazhdoi me sukses veprimtarinë artistike në Shqipëri.

Mihal Luarasi u nda nga jeta duke lënë trashëgimine e tij të çmuar në teatrin dhe kulturën tonë kombëtare.

Duke shprehur nderimin për veprën e tij, le të përcjellim ngushëllimet tona familjes, miqve, kolegëve të tij dhe dashamirësve të teatrit dhe, t'i lutemi Zotit që shpirti i tij të gjejë paqen e merituar!