A mund ta përdorë Trump forcën kundër Koresë së Veriut?

Nga Michael Donhauser dhe Gretel Johnston-

 Presidenti amerikan, Donald Trump mund të përdorë forcën kundër Koresë së Veriut në rast të një sulmi të menjëhershëm dhe të drejtpërdrejt ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, deklaruan dje sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson dhe ai i Mbrojtjes, James Mattis.

“Trump mund të ketë nevojë për miratimin e Kongresit”, tha Mattis, ndërsa së bashku me Tillersonin dëshmuan para Komitetit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë për rishikimet e mundshme të një ligji 16-vjeçar mbi autorizimin e përdorimit të forcës ushtarake.

Dëshmia e tij erdhi si pjesë e një seance të Kongresit për rishikimin e mundshëm të kërkesës për Autorizimin e Përdorimit të Forcës Ushtarake (AUMF), që hyn në fuqi për luftën kundër terrorizmit, por jo për rastin e Koresë së Veriut.

Tillerson dhe Mattis ishin kundër rishikimit të AUMF-së, por Tillerson tha se nëse ndryshimet ishin kryer, atëherë nuk duhej të kishte kufizime kohore apo gjeografike.

“AUMF-ja aktualisht është një bazë e shëndoshë për operacionet e vazhdueshme ushtarake amerikane kundër kërcënimit terrorist”, tha Tillerson.

Mattis tha se do të mirëpriste një deklaratë për mbështetjen e vazhdueshme të Kongresit duke shtuar se nuk duhet të kryhej shfuqizimi i  AUMF-së së tanishme deri në momentin që ajo  të zëvendësohej.

Autorizimi i Përdorimit të Forcës Ushtarake (AUMF)  e vitit 2001 autorizoi veprimet ushtarake kundër al-Kaedës, talebanëve dhe autorëve të tjerë të sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.

Një AUMF pasuese në vitin 2002 autorizoi luftën në Irak.

Por, një sërë pyetjesh kanë lindur lidhur me administratën e Trumpit e cila përdori AUMF-në për autoritetin ligjor në luftën kundër Shtetit Islamik në Irak dhe Siri.

Përkrahësit kanë argumentuar se AUMF-ja zbatohet në luftën kundër Shtetit Islamik duke qënë se ajo hyri në fuqi në  luftën kundër rrjetit terrorist al-Kaeda.

Por, disa anëtarë të Kongresit thanë se AUMF-ja nuk mund të aplikohej për shkak të ndarjes së al-Kaidës dhe Shtetit Islamik duke shtuar se Shteti Islamik nuk ekzistonte në vitin 2001.

Disa anëtarë të Kongresit ngritën pyetje rreth AUMF-së pas vdekjes së katër ushtarëve amerikanë në Nigeri.

Sekretari i Mbrojtjes, James Mattis, tha se operacioni nuk ishte pjesë e luftës kundër terrorizmit, por një mision trajnimi./ATSH/