Në Bruksel për azil politik? Puigdemont shpjegon pse u ‘arratis’ nga Katalonja

Presidenti i Katalonjës, Carles Puigdemont, ka saktësuar ditën e sotme se nuk ndodhet në Belgjikë për të kërkuar azil politik. Ai është shfaqur fillimisht në Bruksel me disa kolegë, mëngjesin e sotëm, pasi Spanja paralajmëroi arrestimin e tij.

‘Jam në Belgjikë për ta sjellë pavarësisë katalanase në zemër të Bashkimit Evropian!’,  deklaroi Puigdemont.

Qeveria qendrore e Spanjës ka marrë kontrollin e drejtpërdrejtë të Katalonjës dhe shkarkoi të gjithë zyrtarët, pas referendumit për pavarësi.

Puigdemont tha se nuk po përpiqej t'i shpëtonte drejtësisë, por donte të ishte në gjendje të fliste lirshëm.

Pak para se të dilte në konferencë për shtyp, gjykata kushtetuese e Spanjës pezulloi deklaratën e pavarësisë së Katalonjës.

Puigdemont tha gjithashtu se do të pranonte rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme të Katalonjës, të shpallura nga qeveria qendrore e Spanjës.

Ai nuk sqaroi se sa kohë do të qëndronte në Belgjikë, por tha se do të kthehej sapo t'i jepej "garanci" nga qeveria spanjolle.

Ai tha se vendimi i prokurorit spanjoll për të akuzuar atë dhe një numër anëtarësh të tjerë të kabinetit me vepra penale, dënimi për të cilat arrin deri në 30 vjet burg, treguan shkallën e agresionit të autoriteteve qendrore.

Çfarë masash ka marrë Spanja?

Madridi u ka dhënë disa orë ministrave të Katalonjës  që të mbledhin gjërat e tyre dhe të largohen nga zyrat, ose forca policore rajonale, e njohur si ‘Mossos’, do të "veprojë".

Oficerët e “Mossos”, kreu i të cilëve u shkarkua javën e kaluar, janë vendosur prej ditësh  pranë pallatit qeveritar në qendër të Barcelonës.

Kryeprokurori i Spanjës gjithashtu po përgatit akuza penale kundër çdo zyrtari që ka vepruar kundër ligjit spanjoll.

Ndërkohë, Madridi ka bërë thirrje për zgjedhje të reja rajonale në 21 dhjetor.

Puigdemont mund të kandidojë në zgjedhje të reja, por Spanja paralajmëroi se kjo mund të ndodhte vetëm nëse ai "nuk do të ishte prapa hekurave."

Përshtati për “SYRI.net” –Xhuljana Zani

Burimi: “BBC News”