Ja dokumenti pa firmën e Ramës, Vasili: Ky është bojkotuesi i madh, se ka parë fare Buxhetin e 2018-ës

Petrit Vasili nga selia e LSI ka hedhur poshtë pretendimet dhe akuzat e mazhorancës sot se bashkë me opozitën kanë bojkotuar diskutimin e Projektbuxhetit të 2018-ës në Konferencën e Kryetarëve, ligjit më të rëndësishëm për vendin.

Por, Vasili ka shpalosur para medias, projektligjin që nuk përmbante firmën e Kryeministrit, duke deklaruar se ai ishte dëshmia se Edi Rama ishte bojkotuesi i madh, pasi Rama as nuk kishte denjuar ta lexonte se çfarë përmbante ai dokument: "Ne nuk jemi për t'i bërë fresk, Kryeministrit," nënvizoi Vasili para medias me ironi.

Nga fjala e Vasilit:

Dokumenti më i rëndësishëm që një qeveri, ose më mirë një Kryeministër paraqitet para vendit, është pikërisht ligji i Buxhetit të Shtetit. Gjithë të tjerët kanë rëndësinë e tyre, por fytyrën e qeverisjes e ka ky ligj.

Në mënyrë normale, opozita nuk mund të vazhdonte të ishte pjesë në këtë shqyrtim për arsye madhore, sepse shteti është i kapur, është bërë njësh qeveria me trafikun e drogës dhe me trafiqe të tjera, por arsyeja themelore është se ky Kryeministër dhe kjo qeveri nuk ka të bëjë me asgjë me merakun e qytetarëve.

Kolegu im i mazhorancës foli për bojkot. Nuk i kam parë më qesharakë, kolegët e Rilindjes sesa kaq.

Jua tregoj se kush bojkoton. Ja dokumenti kryesor që Kryeministri firmos në një vend. Më i rëndësishmi i demostrimit të politikave qeveritare - nuk është firmosur nga Edi Rama. Ky është bojkotuesi i madh! 

Kjo tregon neverinë e madhe që ka ai për popullin e vet. Nuk kemi parë dhe as kemi për të parë një bojkotim që një kryeministër i bën qeveritarëve. Kur ky bojkoton dokumentin e qeverisë së tij, mos ne kemi detyrë t’i bëjmë fresk?! Këtij që nuk ka kohë të të firmosë, të merret me këtë dokument?!

Orë të tëra i caktoi vetes se sa mirë është të mbrosh trafiqet, sa mirë të dekorosh sallën e Kryesisë, por bojkoti më i madh është ky: Ky dokument nuk është i Kryeministrit tuaj. Ai nuk di gjë fare se çfarë është shkruar këtu.

Ndaj, mos e merrni seriozisht. Nuk do të gjeni rast tjetër se sa i përgjegjshëm është.  Këtu janë të shpërndara gjaku dhe djersa e mijëra bizneseve dhe ky "efendikoi" nuk ka kohë fare të merret me këtë. Ky bojkot që Kryeministri i ka bërë Buxhetit të shtetit është më i rrezikshmi, se ai nuk e ka fare në llogari popullin e tij," theksoi Vasili.