Rrofsh o Marku i Facebook

Shqiptarët, opozitë e fortë nëpërmjet... Internetit

Nuk besoj se ka popull tjetër në botë veç atij në Shqipëri dhe Kosovë, që kundërshton më shumë qeverinë. Madje, qysh në momentin që qeveria merr mandatin. Argumentet kundër janë lumë dhe faktet të panumërta.

Qeverinë e kundërshton opozita, por me shumë dërmuese shoqëria, qytetarët e thjeshtë. Por, ky reagim kundërshtues ndaj qeverive, ndaj zullumeve të saj, është shumë i veçantë; ajo është protestë vetëm në Facebook. Nëse u beson atyre që shkruajnë njerëzit në Shqipëri dhe Kosovë për qeveritë respektive, do të mendosh se të nesërmen as Rama e as Haradinaj nuk do të jenë më në zyrë.

Aq i madh është zemërim, aq e madhe është urrejtja, aq bindëse janë argumentet,saqë mendon se rrugët dhe sheshet do të mbushen plot. Ashtu siç ndodhi psh pak muaj më parë në Rumani, ku protesta e qytetarëve ndaj politikës së korruptuar solli ndryshime të rëndësishme politike. Kurse në Shqipëri ka skandale edhe më të mëdha, dhe asgjë nuk lëviz. Njerëzit shfryjnë në Facebook, kurse opozita nuk dihet përse nuk po e shfrytëzon momentin. Por mesa duket edhe politikanë të opozitës po kuptojnë se më e lehtë për ta është protesta në Facebook.

Aty merr shumë "like" për një koment kundër qeverisë, madje duke shkruar nga kolltuku shtëpisë. Me të vërtetë jemi popull trim, liridashës dhe që nuk durojmë padrejtësi. Veç ama reagimin e kemi veç në Facebook. Jo në rrugë si ata rumunët që nuk janë aq trima si shqiptarët. Rroftë Marku i Facebook që na e dha këtë mundësi, se përndryshe do të na dëgjonte vetëm familja që po bëjmë opozitë.