Seria A me 5 yje, kampionati italian ndër më kompetitivët në Europë

Pas shumë vitesh “Seria A” ka një tjetër fytyrë dhe statistikat tregojnë se kampionati italian po fillon të kthehet aty ku e ka vendin. Sezoni i ri ka një grup skuadrash të cilat ndryshe nga herët e tjera duket se do t’i bëjnë oponencë Juventusit deri në fund të kampionatit.

Napoli ka një ritëm të frikshëm dhe ta cilësosh se është për ‘skudetto’ është më e pakta pasi napolitanët në 11 takime kanë siguruar 31 pikë. Nisja më e mirë që nga krijimi i klubit në elitën e futbollit italian. Mbrapa nuk mbetet as Interi që me Spalletti-n duket i rilindur. Zikaltërit luajnë sonte në mbrëmje kundër Veronës dhe në rast fitoreje janë vetëm dy pikë pas kryesuesve. Tani për tani skuadra e Milanos ka siguruar 26 pikë në 10 ndeshje.

Juventusi i vendit të tretë të paktën në këto javë nuk është më ai i sezoneve të kaluar edhe pse duhet theksuar se mbetet ende pretendenti kryesor. Bardhezinjtë kanë pësuar vetëm një disfatë e cila duhej eliminuar por ajo ka ardhur nga një skuadër si Lacio që këtë sezon ka pretendime të mëdha.

Skuadra ku drejton edhe shqiptari Igli Tare është surpriza e këtij edicioni deri në këto momente pasi përveçse mbushi arkat në merkato ka ndërtuar edhe një skuadër për t’u patur zili. Pas nuk mbetet as rivalët e qytetit, Roma. Verdhekuqtë kanë njohur vetëm dy pengesa në 11 javët e para.

Një gare me 5 skuadra që do kënaqte çdo admirues të “Seria A”, por jo shumë tifozët e këtyre klubeve. Gjithsesi pas një agonie disa vjeçare kampionati italian është rikthyer të jetë “on-top”.

Për të vërtetuar me fakte mjafton të përmendësh se janë të rralla sfidat në “Seria A” që përfundojnë me më pak se 3 gola. Fale ecurisë në Kupat e Europës “Uefa” e riktheu kampionatin italian mes 4 më të mirave duke kaluar “Bundesligën”. Dhe së fundmi 5 skuadra për titull kampion ngjallin shumë shpresë për sportdashësit e futbollit italian të cilët janë të shumtë edhe në vendin tonë.