Vazhdon Misioni i Forcave Detare me NATO-n në Egje, Ballanca e kënaqur

Institucioni i Avokatit të Popullit në Shqipëri përshëndeti sot vendimin për zgjatjen edhe për një vit tjetër, të misionit shqiptar të Forcave Detare në operacionin e NATO-s në detin Egje.

Në cilësinë edhe të presidentes së Shoqatës së Ombudsman-ëve të Mesdheut, avokatja e Popullit Erinda Ballanca shprehu kënaqësinë që Shqipëria po e vazhdon angazhimin e saj, sado modest në operacionet e kërkimit dhe shpëtimit të qindra dhe mijëra emigrantëve që hyjnë përmes detit në kontinentin tonë.

Ky mision para së gjithash humanitar dhe pjesëmarrja që Shqipëria ka në të përmes një anijeje të forcave të saj ushtarake detare, dëshmon edhe një herë vlerat e solidaritetit dhe respektit për jetën që shoqëritë tona duhet të ndajnë.