Nora Malaj rrëfen një sekret: Edi Rama tentoi të më 'blinte' për të braktisur LSI-në

Deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Nora Malaj ka deklaruar së fundmi se ka marrë një propozim nga kryeministri  Edi Rama për të braktisur LSI-në dhe bashkuar grupit parlamentar të Partisë Socialiste.

Deputetja e zgjedhur në listën e Durrësit nga LSI këtë sekret e ka nxjerë gjatë një interviste për Ora News. 

“Rama më ka propozuar të shkoj tek partia e tij, por nuk kam pranuar”, ka thënë ajo duke konfirmuar se i ka rezistuar kësaj oferte.

Gjithashtu Malaj ka zbuluar, se Edi Rama është shoku i saj i fëmijërisë dhe se kanë punuar shumë bashkë, por ka qenë edhe një kundërshtare e flaktë e disa prej vendimeve të tij.

“Me Ramën kam edhe një lidhje. Unë dhe Edi jemi shokë fëmijërie dhe shokët e fëmijërisë nuk zgjidhen, por i ke. Në këtë raport kam pasur një ndjesi mbështetëse por e kam respektuar në pozicionin e Kryeministrit, kemi punuar shumë bashkë, më ka dëgjuar edhe kur kam qenë e prerë, kemi pasur edhe përplasje dhe në disa çështje, kam qenë kundërshtare e flaktë e tij”, rrëfeu ajo lidhjen speciale me kryeministrin.