Vlonjatët që përcaktuan fatin e Zaganit, Nazerajt, Tahirit dhe Edi Ramës

Moisi Habilaj, Florian Habilaj dhe Artan Habilaj vëllezër me njëri tjetrin, mund të futen në historinë e errët të politikës shqiptare, si njerëzit-mallkim që kushdo pati një kontakt me ta, e pësoi në një mënyrë a një tjetër. Gati 4 vjet më parë, ish kryeministri Sali Berisha nisi të fliste për një bandë të panjohur deri në atë kohë për publikun, e që operonte në Vlorë.

Fakti që Habilajt morën një vëmendje të veçantë nga dhjetëra banda që operojnë në qytetin bregdetar, nuk kishte të bënte me atë sesa të fuqishëm ishin si bandë, porse ata ishin më të mbrojturit. Dhe kjo për shkak të një specifike. Sali Berisha i emëroi ata si “tezakët” e ish ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, dhe siç rezulton tashmë, “kushërinjtë” e Saimir Tahirit.

Habilajt janë kthyer në një mallkim për cilindo që ka patur të bëjë njëherë në jetë me to, sidomos në 4 vitet e fundit, dhe fati nuk ka qenë asnjëherë i bardhë apo i blertë si lënda narkotike që ata kanë trafikuar me të “infektuarit” prej tyre.

-Dritan Zagani ishte i pari që doli publikisht dhe i akuzoi Habilajt se përmes miqësisë prej kushërinjsh me ish ministrin e brendshëm, ata po trafikonin tonelata droge drejt Italisë. Aq shumë saqë kur nuk i mjaftonin skafet, maunet, avionët që uleshin e ngriheshin në Babicë, ata përdornin deri edhe AUDI-n e famshëm AA003GB (në pronësi të Saimir Tahirit) për bartur drogë. Dritan Zagani ishte njeriu i parë që besoi se ai mund ti hetonte Habilajt edhe pse e dinte se ata ishin “tezakët” e shefit të tij ministër, Saimir Tahiri. Dhe vetëm pse ai vendosi të zbatojë urdhrat që vijnë prej ligjit dhe jo urdhërat e Tahirit, Zaganit iu desh të kërkonte azil politik në një vend të BE-së. Përplasja me Habilajt, nëse nuk rezultoi fatale për jetën e tij, e ndryshoi njëherë e përgjithmonë duke e detyruar të largohet nga Shqipërisë e të kërkojë azil.

-Antoni Nazeraj është një tjetër oficer i antidrogës së Fierit i cili, pati fatin e keq të ishte në krye të detyrës në një postbllok në 2014-ën, barrierë ligjore të cilën një natë, Habilajt vendosën ta thyejnë përmes forcës që buronte nga AUDI i tyre AA003GB. Vetëm për faktin se Nazeraj qëlloi dëshmitar në vendin e gabuar në momentin e gabuar, karriera e tij në polici mori tatëpjetën. Fillimisht pas incidentit, Nazeraj u transferua nga oficer antidroge në Fier, në shef krimesh në Lushnje. Paralelisht me këtë zhvendosje në një kurth të ngritur nga SHKB ai u përfshi në një skemë banale mitmarrje policash rrugor për 80 mijë lek të vjetra. Për këtë ai u arrestua dhe dënua me 3 vjet heqje lirie e reduktuar më pas në arrest shtëpia dhe shërbim prove. Të njëjtin fat patën edhe dy oficerët e tjerë të antidrogës që ishin me të natën e përplasjes me Habilajt, Bledar Naçi dhe Benard Feza.

-Bledar Naçi çau ferrën gjithashtu sapo mundi, dhe ka fituar azil politik në Zvicër.

-Ndërsa Benard Feza pasi pa ti shkatërrohej jeta, punon nga mëngjesi në darkë si kamerier një lokal të humbur të Burrelit.

-Koha tregoi se raporti me kushërinjtë e tij përgjatë katër viteve të fundit sidomos, pati pasoja edhe për Saimir Tahirin. Edhe pse Tahiri mund t’ia hedhë drejtësisë me lot në sy, apo duke kërcënuar Edi Ramën se do të fundoset bashkë me të nëse e lëshon, karriera politike e një pretendenti për fronin e PS-së, tashmë është thjeshtë e vdekur dhe e pakalluar.

-Gjatë emisionit OPINON, pak ditë më parë, një nga gazetarët e pranishëm në panel rrëfeu, se Habilajt kishin kërkuar të sponsorizonin hotelin ku u zhvillua takimi i parë qeveritar që Edi Rama organizoi në Vlorë menjëherë pas marrjes së mandatit në vitin 2013.

E vetmja arsye që Edi Rama dhe ish-ministrat e tij nuk kishin bujtur me paratë e Habilajve ato dy ditë në Vlorë, ishte se radha për të paguar qe zënë më parë nga një biznesmen. Ky episod nuk është një tregues se Edi Rama kishte apo ka lidhje me Habilajt (edhe kjo mbetet për tu verifikuar).

Por ky moment tregon sesa afër, Habilajt ishin me pushtetin e Edi Ramës, dhe sesi për të qenë “kushërinjtë” e Tahirit, ata edhe duhet të paguanin. Diku me çantë në ndonjë hotel ku bujte Edi Rama, e diku me thasë sipas nevojave të Tahirit.

 “E paske bërë makinën ushqim për qentë që do të të ndjekin nga pas”- rrëfeu Edi Rama ti ketë thënë Tahiri për ‘Audi-n’ e famshëm. Habilajt rezultuan të jenë “qeni i zi” i kësaj mazhorance që pasi e kafshuan, e infektuan dhe me gjasë, ndërprenë mandatin e dytë në përgjysmë.

Dhe të mendosh që Habilajt nuk janë të vetmit langonj të kësaj qeverie!…