Sot, Kukësi – Vllaznia dhe Partizani – Flamurtari, sa shumë fate në dy përballje!

Mladen Milinkovic apo Ernest Gjoka. E pamundur t’i shpëtosh krahasimit, edhe pse sfida është Kukësi – Vllaznia, sidomos nëse je tifoz i Kukësit. Kukësi i Gjokës ishte pragmatist, i pamundur për t’u mposhtur, dhe përtej kritikave apo presionit, fitoi kampionatin. Për të bërë “bis”, detyra është e Milinkovic, që këtë here, në misionin për të përsëritur suksesin e Gjokës, gjen përballë pikërisht Gjokën, dikë që Kukësin duhet ta njohë si xhepat e tij.

Gjatë javës e ka përgatitur Vllazninë me objektivin për t’i bërë një surprizë të hidhur Kukësit në “Zeqir Ymeri”, stadium nga i cili ruan ndoshta kujtimet më të mira të karrierës. Vllaznisë së tij i duhet një “shkëndijë” reagimi pas 6 ndeshjeve pa fitore në kampionat. Ndoshta kundërshtari dhe vendi nuk është ai ideali, por Vllaznia nuk mund të presë kalendarin.

Javën e ardhshme pret Skënderbeun dhe nuk ka luksin për të bërë llogari, i duhet të tentojë gjithcka për gjithcka, me Gjokën që ka pasur disa ditë më shumë në dispozicion për të “kuruar” problemet e ekipit, ku spikat mungesa e një goleadori, pasi Vllaznia që ka shënuar vetëm 1 gol në 6 ndeshjet e fundit. I përzgjedhuri për të bërë “bomberin” e munguar me shumë mundësi do të jetë sërish Arlind Kalaja. 5 mungesa për Kukësin e Milinkovic, që, vec Shametit, Hallacit, Zeqirit e Musollit, nuk ka në dispozicion dhe Kerkotic. Gjithsesi, skuadra vjen pas 3 fitoreve radhazi dhe ka krijuar familjaritet me golin, plot 11 të shënuar në 3 takimet e fundit. Këtë herë trajneri serb pritet t’i japë Aliyevit një fanellë titullari, për ta vënë edhe atë para një krahasimi në “Zeqir Ymeri”. I duhet të zëvendësojë në zemrat e tifozëve një farë Pero Pejic.

Sa shumë fate ngatërrohen në Partizani – Flamurtari, sfidë direkte për vendin e tretë, provë force për dy skuadra në kërkim të vazhdimësisë për t’i dhënë rrugë kampionatit, sfidë për të ardhmen, por që mbart brenda dhe shumë traditë e madje dhe fate personale.

Përballen dy prej skuadrave që kanë bërë historinë e futbollit shqiptar. Një vit më parë përfundonte 4-0 për Partizanin e Starovës, disfatë që i vinte kapak aventurës së Gugash Maganit në krye të skuadrës vlonjate. Pas “udhërrëfyesit” të përkohëshëm Mezani, në Vlorë zgjodhën Shpëtim Duron. I larguar nga Partizani jo pa keqardhje në verën e 2015-ës, Duro përjetoi një sezon të vështirë, ku i duhej të siguronte një mbijetesë në kufijtë e së pamundurës, dhe nuk pati mundësinë për një fitore ndaj ish-skuadrës së tij, edhe pse trajneri kurrë nuk e ka konsideruar një sfidë personale.

Sot, gjërat janë ndryshe, Flamurtari i tij synon Europën dhe Partizani, edhe pse vjen pas 3 fitoresh rradhazi, ndoshta nuk është aq i frikshëm sa sezonin e kaluar, kur kishte zbuluar një lojtar super si Ekuban, ndërsa Flamurtari nuk vuan problemet e zakonshme administrative me vonesat e pagave. Me Skënderbeun dhe Kukësin të shkëputur, për të dyja skuadrat është një përballje shumë e rëndësishme për vazhdimësinë. Partizanit, që vjen pas 3 fitoreve radhazi ndaj Teutës, Vllaznisë e Luftëtarit, i duhet ta përballojë pa Sukajn e Canin, me Iulianon që, sipas të gjitha gjasave, do t’i besojë sulmuesit Basrak në majë, ndërkohë që në mbrojtje rikthehen Malota dhe Kalari, duke e vënë italianin përballë vështirësisë së përzgjedhjes.

Te Flamurtari, ku si rrallëherë i ka të gjithë në dispozicion me skuadrën në shëndet të plotë, Duro kërkon shkëputjen, për t’u konfirmuar si forca e tretë e kampionatit. Kjo është një nga ato ndeshje që mund të vendosin shumë për të ardhmen./S.S/