Puigdemont: Katalanasit të ruajnë qetësinë dhe të mbajnë vendin tonë gjallë

Presidenti i Katalonjës, Carles Puigdemont i kërkoi katalanasve të qëndrojnë të qetë pasi Parlamenti rajonal voti në favor të një rezolute që bën thirrje për pavarësi.

“Në orët në vijim ne duhet të mbajme vendin tonë gjallë. Ne duhet ta bëjmë këtë në një mënyrë paqësore, të civilizuar dhe dinjitoze, sikurse kemi bërë gjithnjë dhe do të vazhdojmë të bëjmë”, tha Puigdemont.

Duke iu drejtuar rreth 700 kryebashkiakëve pro pavarësisë të mbledhur në Parlamentin katalanas, Puigdemont tha se “legjislativi ka ndërmarrë një hap të shumëpritur për të cilin shumë katalanas kanë luftuar”.

Parlamenti i Katalonjës miratoi sot një rezolutë duke deklaruar se rajoni bëhet një shtet i pavarur duke marrë formën e një Republike, para këndimit të himnit indipendentist, në mungesë të opozitës.

Menjëherë pas kësaj vote senati spanjoll autorizoi qeverinë e Mariano Rajoy për të marrë masat për heqjen e autonomisë së Katalonjës, që nënkupton shkarkimin e drejtuesve separatistë.