Griezmann mund të transferohet te Barcelona me gjysmë çmimi

Pavarësisht refuzimit të ofertave të majme nga ana e klubeve më të mëdha të Europës, Antoine Griezmann, në përfundim të këtij sezoni, sipas të gjitha gjasave do të largohet nga Atletico Madrid, për t’u transferuar te Barcelona, që e konsideron francezin, zëvendësuesin ideal të Neymar.

Griezmann mbetet i preferuari i klubit katalanas, pavarësisht blerjes në verën e kaluar të Dembele, aktualisht i dëmtuar, apo edhe pas rikthimit të Gerard Deulofeu.

Sipas asaj që raporton e përditshmja spanjolle “Mundo Deportivo”, klubi blaugrana është i gatshëm të paguajë klauzolën e largimit të Griezmann, e cila duke nisur nga data 1 korrik 2018 do të pësojë një reduktim me 50%, duke zbritur nga 200 në 100 milionë euro.

Një shifër gjithsesi e lartë, por e përballueshme për klubin katalanas në objektivin e tyre, për gjetjen e zëvendësuesit të brazilianit Neymar, të transferuar te PSG.

Në këto kushte, Griezmann përfaqëson një investim fantastik, që bashkë me Lionel Messi dhe Luis Suarez do të formonte një tredhëmbësh atomik.