Flet Inis Gjoni: Askush nuk do të jetë vetëm në jetë!

Komedia “Çifti i çuditshëm” në Teatrin Kombëtar.

Regjisorja e sjell këtë vepër për të treguar se kompromisi dhe toleranca janë rregullatorë shoqëror. Pa këto elemente, sipas saj, shoqëria jonë do të ishte shumë më e ashpër sesa është

Tema e veprës “Çifti i çuditshëm” e Neil Simon, që kësaj here riktheu, si regjisore Inis Gjonin në skenën e Teatrit Kombëtar, është një ndër ato tema, prej të cilave përherë ajo vetë është “ngacmuar”. Një komedi, që në qendër ka dinamikën e marrëdhënieve njerëzore, tema dhe nëntema për familjen, divorcin, bashkëjetesën, miqësinë dhe shoqërinë, por jo vetëm kaq. “Kompromisi dhe toleranca janë bërthama drejt një rregullatori shoqëror, pa të cilën shoqëria jonë do të ishte shumë më tepër e ashpër sesa është”, shprehet regjisorja Inis Gjoni, e cila së bashku me artistët protagonistë rrëfen më tepër rreth realizimit të kësaj shfaqje.

Inis Gjoni: Toleranca, bërthama drejt një rregullatori shoqëror

“E përzgjodha këtë vepër, sepse mendoj se tema që trajton është interesante, gati-gati është një nga temat, që mua më ka pëlqyer përherë, sepse flet për dinamikën e marrëdhënieve njerëzore, në të shtrohen një sërë nëntemash, si familja, divorci, bashkëjetesa, komunikimi, miqësia, shoqëria etj”.

Ndërsa, më tej Gjoni shton se ideja qendrore, është që kompromisi dhe toleranca janë bërthama drejt një rregullatori shoqëror, pa të cilën shoqëria jonë dhe dinamika e marrëdhënieve njerëzore do të ishte shumë më tepër e ashpër sesa është. “Është një vepër shumë aktuale dhe do të jetë e tillë, derisa njerëzimi të jetë mbi tokë, sepse flet për dinamikën e marrëdhënieve shoqërore. Pra kjo vepër nuk ka kohë për temën dhe idenë që trajton”.

Bashkëjetesa mes dy djemve

Një nga gjërat më interesante është, që në bazë të konceptit regjisorial, këta dy personazhe të uzurpojnë hapësirat e njëri-tjetrit. “Ata prishin miqësinë që kanë bashkë, madje shkojnë deri në atë pikë sa mund të vrasin njëri-tjetrin”. Por, shumë elementë të kësaj natyre janë vendosur në vepër, për ta bërë më konkrete, më të afërt për publikun, për shoqërinë tonë shqiptare. Vepra është vendosur për herë të parë në vitin 1965, por me kalimin e kohës ka pësuar ndryshime.

I njëjtë ka mbetur vetëm thelbi i saj. “Dy shokë të ndryshëm nga njëri-tjetri, mësojnë që të jetojnë së bashku dhe nga e gjithë kjo ne shikojmë një bashkëjetesë jo të pazakontë, pasi marrëdhënie edhe çifte të tillë hasim kudo. Autori sjell dy djem, për të treguar se brishtësitë njerëzore janë kudo të njëjta. Vepra mund të luhej shumë mirë nga dy vajza, nga një çift tradicional, por edhe duke vendosur dy burra na bën që të kuptojmë, se brishtësitë janë kudo të njëjta”, shpjegon Gjoni.

Elementët shtesë në këtë shfaqje

Zakonisht në të gjitha vëniet e saj, Inis Gjoni, i qëndron strikte autorit, duke ndërhyrë atje ku mendon se është e nevojshme. Na tregon se i intereson shtylla e veprës, prandaj duhet që të bëjë gjithçka që duhet për të dhënë idenë që përmban vepra. “Por, nuk do ta konsideroja një punë timen të plotë, nëse unë do të bëja thjesht një vënie në skenë. Puna ime si regjisore do të ishte shumë e mangët. Në këtë kuptim unë shpeshherë ndërhyj edhe në pjesën dramaturgjike, duke vendosur etydet e mia apo duke sjell këndvështrimin tim, si regjisore. Për shembull, pa zbuluar gjithçka mund të them se në momentin e fundit të shfaqjes, kam bërë diçka ndryshe nga teksti origjinal, pasi personazhet e mi gjithçka e përfundojnë jashtë dekorit”.

Romir Zalla

Protagonistët e “Çiftit të çuditshëm” janë Romir Zalla dhe Gentian Zenelaj. Zalla na tregon se gjëja më interesante e komedisë, të cilën e ka kuptuar pas provave gjenerale, është që në këtë komedi publiku mund të shikojë jetën e një burri pasi divorcohet. Çfarë ndodh me të realisht? “Nëse gratë e marrin jetën ndryshe nga burrat pasi divorcohen, duke e nisur nga fillimi, pavarësisht se vuajnë shumë, duhet të shihni se çfarë ndodh me një burrë”, thotë ai. Gjithçka fillon në shtëpinë e një burri (Oskarit) të divorcuar, prej gjashtë muajsh. Në gjashtë muaj në shtëpi çdo gjë e ka kthyer në rrëmujë; ha, bën pis etj. “Kjo është jeta e një burri të divorcuar dhe për mendimin tim baza e gjithçkaje këtu është divorci”.

Një ditë të premte, që Oskari mblidhet me shokët e tij, për të luajtur poker, shfaqet edhe një shokë tjetër i tyre, Feliksi. Ky është personazhi që luan Zalla, i cili atë ditë është divorcuar nga gruaja, edhe sjell ngjarjen e tij personale. “Këtu fillon tragjedia, sepse Oskari duke u përpjekur që të jetojë jetën e tij, e fton Feliksin, që të bashkëjetojnë bashkë, duke menduar se kështu do të shpëtojë nga jeta vetimtare. Por futja e jetës së Feliksit në jetën e tij, është rifillimi i një furtune tjetër, sepse Feliksi ka një natyrë tjetër, është më pastërtor, korrekt dhe i disiplinuar”. Përplasja e këtyre dy natyrave të ndryshme, e këtyre dy burrave të divorcuar pjell komedinë.

Gentian Zenelaj

Protagonisti tjetër, (Oskari, Gentian Zenelaj) mendon se në këtë vepër ka dy gjëra të mrekullishme. “Njëra është që, çdo njeri mund të shpëtohet, sado i dëshpëruar apo sado dëshirë, që të ketë për të vrarë veten. Edhe çështja tjetër më e rëndësishme është se askush në këtë botë nuk jeton dot vetëm. Çdo njeri në mos me gruan, me shokun apo me një të dashur apo në mos me një femër do të jetojë”. Ashtu siç ndodh në Nju Jork, ashtu ndodh edhe në Tiranë. Në momentin që duket sikur shpëtohet Feliksi, faktikisht shpëtohet Oskari, i cili ka gjashtë muaj i divorcuar. “Bashkëjetesa e tyre shkon deri edhe në një sulm fizik mes tyre, por në fund të veprës këta të dy shpëtojnë njëri-tjetrin”.

Mehmet Xhelili, Besmir Bitarku dhe Ervin Bejleri

Ajo çfarë evidenton këtë çift në të vërtetë nuk është thjesht marrëdhënia, që kanë këta të dy, por bota e jashtme që i rrethon, që në këtë rast përbëhet nga Mehmet Xhelili, Besmir Bitarku dhe Ervin Bejleri. “Ne jemi të tre të martuar dhe jemi shokët e tyre. Unë si personazh e dua shumë gruan, e respektoj shumë dhe këtej dalin disa situata komike, edhe pse mendoj se çdo mashkull duhet që t’ja plotësojë të gjitha gruas”. “Çifti i çuditshëm” është një nga komeditë më të famshme amerikane të 50 viteve të fundit. Vepra sjell një tablo humoristike, karaktere të zakonshme në plan të parë, por jashtëzakonisht të papajtueshëm mes tyre. Nën interpretimin e aktorëve Romir Zalla, Gentian Zenelaj, Mehmet Xhelili, Ervin Bejleri, Besmir Bitraku, Rozana Radi, Annais Lika. Skenograf Stivi Rrapo, ss/regjisor Alba Shtëmbari dhe Elios Ibro, stiliste Julinda Arallambi./Shekulli/