Në Shqipëri rrogat vazhdojnë të ulen prej 4 vitesh

Banka Botërore deklaroi se punonjësit shqiptar po varfërohen prej katër vitesh për shkak të rënies së rrogave. Konstatimi është bërë publik në një raport të fundit, ku BB analizon gjendjen e ekonomive të Europës dhe Azisë.

"Rrogat mesatare në Shqipëri kanë qenë në rënie të vazhdueshme që nga fundi i vitit 2013," thuhet në raport.

Rënia e ndjeshme e rrogave përveç situatës së vështirë ekonomike është shkaktuar edhe nga politika e qeverisë, e cila për tre vjet rreshti ngriu pagat e sektorit publik.

Sipas BB rrogat mund të rekuperohen këtë vit, të ndihmuara nga fakti se pas 3 vitesh ngrirje, qeveria vendosi të rrisë rrogat në shtet me 7 për qind. Por do të duhet kohë e gjatë që punonjësit të rekuperojnë renien e tyre për katër vjet me radhë.

Rënie e thelle

Rënia e rrogave u raportua fillimisht nga Banka e Shqipërisë. Por pas publikimit në media, BSH vendosi e ndërpreu publikimin e këtij treguesi. Megjithatë, pas katër vitesh rënieje të vazhdueshme të rrogave, vitin e kaluar qeveria u detyrua ta pranonte këtë fakt zyrtarisht.

Instituti i Statistikave deklaroi se paga mesatare mujore bruto për të gjithë të punësuarit në ekonominë shqiptare ra në 45,845 lekë në vitin 2016- nga 46,829 lekë që qe në vitin 2015, me një rënie neto prej 2.1 për qind.

Sipas të dhënave të INSTAT, rëniet më të mëdha në paga vërehen në profesionet e vështira si “shërbimet në shtëpi”, “bujqësia”, “industria përpunuese” dhe “art, argëtim e zbavitje”.

INSTAT filloi ta llogarisë pagën mesatare në ekonomi vetëm që nga viti 2015. Ndaj është e pamundur që të shikohet ecuria e pagave në periudha para vitit 2015 sipas treguesit zyrtar.

Por një tregues i përafërt është publikuar nga Banka e Shqipërisë në raportet e Politikës Monetare. Edhe sipas BSH, rrogat kanë rënë në mënyrë të vazhdueshme, pas vitit 2015. 

Thuajse të gjithë institucionet që përllogarisin ecurinë e pagave në ekonominë shqiptare pranojnë se punonjësit në Shqipëri janë varfëruar, pasi marrin një rrogë më të ulët, ndërkohë që çmimet janë rritur. Kjo ka përkeqësuar standardin e jetesës për të gjitha familjet shqiptare, të cilat kanë si burim të ardhurash vetëm rrogën edhe pse qeveria deklaron rritje ekonomike.