Sipas Ramës, Tahiri s’është plotësisht me ‘barrë’

Rama i çoroditur dhe në panik ka urdhëruar marrjen e një vendimi absurd nga maxhoranca, nga 75 deputetë duke i trajtuar sikur të ishin të verbër. Rama i ka detyruar ata të pranojnë që Tahiri

të hetohet, ti kontrollohet banesa, ti kontrollohen të gjithë mjet personale(kompjuter, makinë, e tjerë) por mos të arrestohet. Dhe arsyeja që jepet në mënyrë të palogjikshme është: nuk ka “prova dhe fakte” për arrestimin e Tahirit!!!!

Së pari, si ka mundësi që paska “prova e fakte” për ti kontrolluar banesën, makinën kompjuterin dhe s’paska “prova e fakte” për ta arrestuar? Kjo do të thotë sipas Ramës, se Tahiri është vetëm pak me “barrë” sa për ti kontrolluar banesën, makinën, kompjuterin, por jo aq sa ai të arrestohet. Argumentim më të dobët dhe absurd zor se mund të gjendet dhe që natyrisht turpëron të gjithë kuvendin e Shqipërisë në sytë e shqiptarëve e ndërkombëtarëve. Pra prokuroria shqiptare paska punuar mirë duke grumbulluar “prova e fakte” për ti kontrolluar banesën, makinën, kompjuterin Tahirit por nuk ka fare “prova e fakte” për ta arrestuar atë.

Së dyti, vlerësimin e “fakteve e provave” nëse janë të mjaftueshme për të caktuar masën e sigurisë e bën vetëm Gjykata dhe askush tjetër; për më tepër kjo nuk është aspak dhe në asnjë rast kompetencë e kuvendit. Praktikisht maxhoranca sot i ka marrë kompetencat gjyqësorit duke shkelur jo vetëm kushtetutën, jo vetëm ndryshimet kushtetuese për kufizimin e imunitetit të deputetit por edhe reformën e drejtësisë për të cilën Rama është betuar e përbetuar duke mashtruar shqiptarët e ndërkombëtarët. Praktikisht ky vendim ka nxjerrë në pah mentalitetit e mbrapsht të Ramës për reformën e drejtësisë, thënë ndryshe për Ramën reforma e drejtësisë do të thotë kontroll i sistemit gjyqësor vetëm për të mbrojtur klientelën e tij të korruptuar e qeverinë e inkriminuar që drejton dhe goditur ashpërsisht kundërshtarët politikë, mediatikë, e njerëzit e ndershëm që e kritikojnë.

Së treti dikush mund të thotë që vendimi i 75 deputetëve të maxhorancës mbështetet pikërisht në diskrecionin që i ka lënë kushtetuta kuvendit për të mbrojtur deputetin apo ministrin nga “montazhet politike”, pra për të mos lejuar grupime të caktuara politike për të kryer intriga politike ndaj një personi me imunitet. Kjo është e vërtetë në parim por në rastin konkret nuk qëndron. Përse? Nëse kjo do të ishte e vërtetë, pra kjo do të thoshte se kërkesa e Prokurorisë është një montazh politik kundër Tahirit. A është kjo e vërtetë?

Nga analiza e të gjithë rrethanave arrihet thjeshtësisht në përfundimin se edhe vetë maxhoranca s’e pranon se kemi të bëjmë në rastin Tahiri me një montazh politik. Përse? Sepse vetë maxhoranca po të kishte arritur në këtë përfundim ajo nuk do të duhet të lejonte as arrestimin, as kontrollin e banesës, as të kompjuterit, as të makinës dhe duhet ta denonconte tërësisht kërkesën e prokurorisë si një “intrigë politike”. Pranimi i pjesshëm nga maxhoranca i kësaj kërkese e kompromenton rëndë qëndrimin e maxhorancës. Pra nga qëndrimi i dyzuar nga maxhoranca ndaj kësaj kërkese apo pranimi i pjesshëm i saj të shtyn në mënyrë racionale në përfundimin se nuk ka asnjë intrigë ndaj Tahirit. Pra sipas logjikës së vetë maxhorancës, Tahiri rezulton tërësisht e plotësisht me barrë; dhe cuditërisht pas shumë piruetash në këtë përfundim arrin edhe vetë maxhoranca. Nga ana tjetër, kërkesa ndaj Tahirit vjen nga Prokuroria shqiptare bazuar në hetimet dhe “provat e faktet” e prokurorisë italiane, prandaj “kjo intrigë politike” ndaj Tahirit siç përpiqet Rama të manipulojë opinionin publikm e sidomos atë ndërkombëtar, na u bazoka në hetimet e prokurorisë italiane dhe për më tepër në “prova e fakte” që kanë zbuluar vetë kushuronjë e Tahirit???!!!!

E gjithë kjo të shtyn të mendosh se kjo është një shfaqje e shëmtuar e maxhorancës ndërkohë që të gjithë i kanë të qarta lidhjet e Tahirit me Habilajt. Kanë të qarta dhe në shumë raste kanë parë me sytë e tyre marrëdhëniet e ngushta të Tahirit me Habilajt. Të gjithë shqiptarët, përfshi edhe ambasadorët e shumtë, kanë parë syzet e Tahirit. Kanë parë veshjet e Tahirit, Jahtin e Tahirit, e tjerë e tjerë. Të gjithë e dinë që Tahiri është me “barrë” për shkak të lidhjes me Habilajt kurse Rama i ka mbushur mendjen 75 “qorrave” që ai është vetëm pak me “barrë” dhe këtë 75 “qorra” duan të verbojnë të gjithë shqiptarët.

Kot mundohet Rama për ta nxjerrë Tahirin jo plotësisht me është “barrë”. Të gjithë e kanë parë me barkun deri në buzë; dhe me siguri do të jetë Rama ai që do të abortojë.