Sulmi i Ramës ndaj gazetarëve, Basha: Rrugaç, një lolo banditësh si ti nuk tremb njeri

Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka reaguar ndaj sulmit të paprecedentë të Edi Ramës ndaj gazetarëve në daljen e tij jashtë sallës së parlamentit.

“Sulmi agresiv, banaliteti rrugaçëror dhe kërcënimet kundër gazetareve faktojnë çekuilibrimin psikik që ka Edi Rama kur nuk arrin ta fshehë të vërtetën tronditëse as nga vetja e tij. I marre peng nga Saimir Tahiri dhe i kthyer në një lolo nga kriminelët që i diktojnë vendim-marrjen politike, Edi Rama sot ka humbur çdo lloj ekuilibri psikik dhe njerëzor ndaj po ushtron dhunë verbale ndaj çdokujt që i duket se sfidon pushtetin e tij.

Sulmi ndaj gazetarëve është dhunë jo vetëm ndaj tyre, por dhunë ndaj gjithë shoqërisë e cila pa gazetarinë dhe pa fjalën e lirë përfundon në errësirë dhe skllavëri.

Përgjigja më e mirë ndaj kësaj dhune, është kurajo për të zbuluar dhe thënë të vërtetën. Sot, më shumë se kurrë, Shqipëria ka nevojë për të vërtetën dhe për kurajo përballë të keqes. Në betejën për liri, të drejta dhe dinjitet ne jemi të gjithë bashkë, unë dhe opozita jemi në krah të çdo gazetari kurajoz si ata që nuk e gëlltitën me turp rrugaçërinë e Ramës sot. Bashkë, nuk ka bandit as lolo banditësh si Edi Rama që mund të na trembë apo nënshtrojë’, shkruan kreu i PD-së, Lulzim Basha në deklaratën e tij.