Rasti ‘Tahiri’-funerali pa nder i gazetarisë së atrofizuar shqiptare

Shoh gazetarë dhe analistë në studio që përsërisin “s’ka fakte, s’ka prova” për të arrestuar Saimir Tahirin. Nga pikëpamja juridike, me faktet dhe provat merret drejtësia, gazetaria merret me të vërtetën.

Dhe e vërteta është që: Saimiri që bën 5 milionë euro në muaj nuk është kamionist, Saimirit që nuk i dalin 20 milionë euro për fushatë nuk është kamionist dhe 3 mijë euro byzylyqe dhuratë, nuk janë për gruan apo nënën e kamionistit Saimir.

Saimir Tahiri është i nderuar në familjen e vet, në partinë e vet apo “Tepelenën” e vet. Sigurisht, nëse prokuroria nuk arrin ta provojë krimin, ai s’do të shkojë në burg. Meriton ta gëzojë jetën i lirë, ai që është, me ato që ka.

Por, dielli me shoshë nuk mbulohet. Detyra e gazetarit është të zbulojë të vërtetën, të ngrejë dyshime, pikëpyetje, të bëjë pyetje të forta.

Një emision ku ishte i ftuar ish-ministri i Brendshëm, nisi me pyetjen: A ndiheni i tradhtuar? (Më fal, po kujt i plas a ndihet apo jo i tradhtuar politikisht, një njeri që sipas përgjimeve të italianëve dyshohet se bën 5 milionë euro në muaj?!)

Që gazetaria në Shqipëri është kthyer në biznes të rëndomtë dhe një pjesë e mirë e gazetarëve janë literalisht folës me pagesë kjo nuk është diçka e re.

Por, rasti “Tahiri” na shërbeu për të kuptuar nivelin e llumit dhe pacipësinë ku ka arritur media jonë. Shumë kolegë që dëgjoj sot të bërtasin “s’ka fakte, s’ka prova” kanë qenë dje profesionistë të nderuar. Ata kanë zgjedhur rrugën e tyre dhe kanë marrë përsipër përfitimet dhe kostot.

Por gjithashtu, keqardhjen e kam të madhe sepse edhe në profesionin tonë, e vërteta është tkurrur dhe deformuar aq shumë sa ndonjëherë të kap dyshimi për veten: Mos jam shumë i njëanshëm, mos po i bie në qafë kur mendoj për një politikan që është i korruptuar? Pastaj zgjohesh dhe kupton: sot është e vështirë të gjesh një politikan të pakorruptuar, jo e kundërta.