Mbërtheckat e Pangos dhe qarjet e Saimir langos

Këto ditë përplasjesh në se ka prova për Tahirin apo jo,m’u kujtuan mbërtheckat e Pangos. Një fjalë që përsëritej atëherë e kori i socialistëve namusqarë u ngrit në zenith. Si Ku Klus Klani donin linçimin e Pangos. T’u thoje atyre ato mote se mbërthecka nuk ishte provë të bënin copash,mbase të hidhnin dhe përtej malit me gropa.

U mbërthyen tek mbërtheckat dhe nuk u ngopën nga dorëheqja e ministrit. Nuk pyetën për djalin e tij e për plot sentimentalizma që sot i shfaqen si argumente. E ndodhi normalja. Berisha e shkarkoi në çast, Pango iu drejtua gjykatës, mori vendim pafajësie e qysh atëherë mbërtheckat i harroi partia e grackave televizive.

Pas tyre u shfaq një video me zë të montuar sikur Meta merrte 700 mijë euro. Rilindja e quajti provë, u ngrit në protesta të dënonte hajdutin që e kishte të provuar tashmë. Dhe e dënoi rëndë Metën. E bëri president!!!!!!!!!

Por Meta iu drejtua gjykatës e cila provën e Rilindjes e quajti flluskë.

Pas kaq e kaq dështimesh tani vijmë tek provat e Tahirit. Thuhet se ka trafikuar, ka marrë ryshfet 5 milionë euro  çdo muaj, i duheshin 20 milionë për fushatë, me makinën e tij bëhej transporti i drogës, me... Por, jo, shokët e tij këto nuk i quajnë prova. Mbase duan të dëgjohet në përgjime fjala mbërtheckë, ose shifra 700 mijë, se ata e dinë më të madhe se 5 milionë.

Kaq janë dhjerë sa që edhe provat quhen prova vetëm po tha Rilindja. Ndryshe quhen sajime, luftë politike e hakmarrje tropojanësh.

Dua të kujtoj se kjo histori është mjaft e thjeshtë dhe shumë e qartë. Ja sepse.

Tahiri bëri sikur e shiti, por nuk e shiti makinën 003. Se kështu quhej e ministrit dhe shërbente si kartat e trarit në porte dhe aeroporte. Pas kësaj shitje-mos shitje ia hypte disa herë vetë që kudo riverifikohej se kjo makinë është ende e ministrit, kujdes.

Më pas Zagani, polici i antidrogës informoi shtetin se me ketë makinë kushërinjtë e ministrit bëjnë trafik narkotikësh. Dhe në vend të nisë hetimi ndaj ministrit nis reprezalja ndaj informatorit të shtetit. Burgoset, kërcënohet, fyhet e poshtërohet dhe nga kryeministri deri sa për fatin e tij të mirë ia del të arratiset me grua e tre fëmijë e të marrë azil në Zvicër.

Ja, pra prova e qartë. Një informatë e dhënë nga një polic shteti, u injorua, nuk u hetua, u fsheh dhe heroi që guxoi u burgos. A është kjo më shumë se mbërthecka e Pangos?

Tahiri ka ditë që sillet si lango. Qan e qurravitet se ka fëmijë, është i ri, nuk shkon në burg e kryeministri përlotet njësoj. Se prova që përmendëm është e përbashkët. Krimin e kanë kryer të dy.

Beson kush se Tahiri trafikonte e mbillte hashash pa marrë porosi nga Rama?! Njësoj si të besosh se Taulant Balla është francez. Lindur e rritur në Paris.