‘Kurrë mos hap një kuti me krimba’, Ramës ja hapën...

Në gjuhën e Alastair Cambell, këshilltarit të vyer të Edi Ramës ka një shprehje: ‘never open a can of worms-kurrë mos hap një kuti me krimba’. Edi Ramës ja hapi Saimir Tahiri, dhe nuk mund t’i mbledh më. Më mirë se Rama, nuk e di askush këtë. Prandaj, ai më parë se të fillonte betejën politike për të mbrojtur Tahirin, ka gjetur avokatin ligjor të tij.

Në një takim me strukturat e Policisë së Shtetit, Edi Rama u shpreh se ‘Po diskutojmë me një kompani hetimesh dhe auditimesh që drejtohet nga agjente të FBI-së, ish-agjentë të FBI-së, që do të vijnë këtu’. Pse i duhet Edi Ramës një kompani private hetimesh? Rama u mundua ta shiste si përpjekje të qeverisë dhe Policisë së Shtetit për të luftuar krimin e organizuar. Në fakt është krejt e kundërta.

E para, nëse Edi Rama do ta kishte seriozisht luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, këtë ndihmë të ‘privatit’ do ta kërkonte që me ardhjen e tij në pushtet në vitin 2013, atëherë kur sipas tij ‘krimi kishte kapur të gjithë kupolën e Policisë së Shtetit” dhe qeverisë.

E dyta, Qeveria amerikane që në vitin 1998, ndihmon institucionet e zbatimit të ligjit në Shqipëri nëpërmjet dy projekteve. Projekti i parë është nëpërmjet OPDAT (Overseas Prosecutorial Development, Assistance and Training Program) i atashuar pranë Prokurorisë së Përgjithshme, që ka për objekt pune asistencën në hartimin e legjislacionit penal, donacione të pajisjeve për organet e zbatimit të ligjit, trajnimi i gjykatësve, prokurorëve, dhe policëve, me synim krijimin e trukturave efektive të zbatimit të ligjit. Projekti i Dytë është nëpërmjet ICITAP (International Criminal Investigative Training Assistance Program, atashuar pranë Policisë së Shtetit. ICITAP ndihmon Policinë e Shtetit në menaxhimin e kufirit dhe anti-trafikun, luftën ndaj krimit të organizuar, llogaridhënia e policisë, menaxhimi i burimeve njerëzore, trajnimet, si dhe sistemet e menaxhimit të informacionit, duke përfshirë TIMS-in që zuri në grep makinën e Tahirit. E përkthyer në terma financiarë, ndihma që qeveria e Shteteve të Bashkuara i ka dhënë Shqipërisë në këto dy fusha shkon në disa dhjetëra milionë dollar. Vetë sistemi TIMS është dhuratë e SHBA-ve, dhe është sistemi më i avancuar në Europë.

 OPDAT dhe ICITAP kanë qenë të përfshira direket në reformën e sistemit të drejtësisë, VETTING, dhe aktualisht po punojnë në hapat konkretë për implementimin e kësaj reforme. Bashkëpunimi i Policisë së Shtetit me FBI dhe DEA në operacionet e përbashkëta ndërkombëtare, është bërë dhe vazhdon të behët nëpërmjet këtyre dy strukturave. Si OPDAT, ashtu dhe ICITAP, janë programe të bashkëpunimit ndërkombëtar të Departamentit të Drejtësisë së SHBA-ve, dhe financohen nga Departamenti i Shtetit. Pra, qeveria e SHBA-ve është këtu, na ka ndihmuar dhe po na ndihmon.

Pse i duhet Edi Ramës të paguajë një kompani private hetimesh, kur të njëjtën që e bëjnë SHBA-të në mënyrë institucionale me paratë e veta? Kujtojmë se vetëm sistemi TIMS i ka kushtuar taksa-paguesve amerikane mbi 24 milion dollar.

I duhen, sepse Edi Rama e di që hetimi i Saimir Tahirit është vetëm maja e ajsbergut, dhe se kjo çështje, më shume se politike, do t’i kthehet atij në çështje ligjore. Edi Ramës do t’i dalin lidhjet e tij okulte me botën e krimit që para ardhjes së tij në pushtet. Një hetim i plotë dhe i gjithanshëm do të nxjerrë se asgjë nuk ka qenë e rastësishme, por e kalkuluar, e programuar, zbatuar dhe mbikëqyrur nga vetë ai. Që nga bashkëpunimi me banda kriminale për të ardhur në pushtet; futja në parlament, në pushtet vendor dhe në administratë të personave me precedentë të rëndë kriminal; kanabizimi i vendit dhe trafiku i drogave të forta; shkarkimi i të gjithë kupolës së Policisë së Shtetit brenda një nate; largimi nga puna i më shume se 650 oficereve të ‘policisë së Saliut’, shkatërrimi i të gjitha strukturave operacionale të policisë në nivel qarqesh dhe shkrirja e rrjetit të agjentëve nën mbulim; nxjerrja jashtë loje e sistemit të radarëve, dhe në funksion të saj, largimi ose nxjerrja në lirim e mbi 200 agjentëve të shërbimit sekret ushtarak, si dhe de-kapitimit të Policisë Ushtarake; lufta frontale ndaj prokurorisë dhe gjykatave.

E di pra, që në një fazë të caktuar hetimesh, do të dalë që e gjithë qeverisja e tij, kanë qenë një skeme e përkryer kriminale; e krijuar dhe drejtuar prej tij. Saimiri, Damiani, Mimi dhe shumë të tjerë, kanë qenë veçse aktorë në këtë skeme. E di, se hetimet do të hapen në të paktën tre kontinente. Dhe në këtë rrethanë, i duhen ‘agjentët privatë të FBI-së’.

Në media u njoftua se Rama ka kontaktuar kompaninë e ish-Drejtorit të FBI, Louis Freeh. Zoti Freeh është një personalitet i drejtësisë penale të SHBA-ve. Në mes te tjerave, ai ka hetuar me sukses çështjen më komplekse të trafikut të drogës dhe krimit të organizuar në historinë e SHBA-ve kundër mafias siciliane në New York, në të ashtuquajturën ‘Gjyqi Pizza-Connection’.

Sipas portalit exit.al, e kontaktuar muaj më parë nga kjo e fundit, zyra e shtypit e FBI-së ishte përgjigjur: ‘Louis Freeh është qytetar privat, dhe vepron si i tillë. Ai nuk ka aktualisht asnjë lidhje formale, dhe nuk përfaqëson në asnjë lloj mënyre FBI-në apo organizatat ligjzbatuese të Shteteve të Bashkuara’.

Në një shikim të detajuar në vetë faqen e internetit të kompanisë së zotit Freeh, ‘Freeh Group International Solutions (www.freehgroup.com) bie në sy profili i lartë i ekspertizës në fusha si trafiku ndërkombëtar i drogës, pastrimi i parave, korrupsioni, si dhe hetimet komplekse ndërkombëtare. Lidershipi i kompanisë përbëhet nga ish-personalitete në agjencitë e zbatimit të ligjit dhe inteligjencës së SHBA-ve.

Në kushtet ku pritet të ndodhet Edi Rama, rekrutimi i një kompanie të tillë, është këshilla më e vyer që dikush mund ti ketë dhënë atij. Veçse edhe në këtë rast, lobimin dhe mbrojtjen penale planifikon ta bëjë nën mbulimin e ‘ndihmës nga FBI’ dhe me paratë e taksapaguesve shqiptar. OPDAT dhe ICITAP, nuk i ngelet gjë tjetër veçse të kthehet në SHBA, ose të përballet me ish-shefin, këtë herë si avokat dhe lobist i Edi Ramës.