Kurthi i Ramës/ A po mashtrohen ndërkombëtarët?

Edi Rama sot në mbledhjen e grupit parlamentar të PS në thelb ka mbrojtur fuqimisht Saimir Tahirin, ndonëse ka lënë të kuptohet apo nënkuptohet se Tahiri mund të mos jetë pjesë e grupit të tij parlamentar deri në zbardhjen e së vërtetës. Arsyet e kësaj mbrojtjeje dihen nga të gjithë, ata janë bashkëpuntëtorë në punë të pista dhe bashkëaksionerë në pasurimin korruptiv dhe kriminal.

Këtë lloj mbrojtje prej hileqari Rama e ka bërë sa herë i ngushtohet laku nga ndërkombëtarët dhe thjesht për ti mashtruar ata. Këtë gjë bëri me E. Roshin. Këtë gjë bëri me M. Frrokun duke e paraqitur te partnerët si deputet të një partie aleate dhe jo socialist. Këtë gjë bëri me T. Doshin. Këtë gjë bëri më A. Ndokën. Këtë gjë bëri me A. Prengën. Këtë gjë bëri më A. Bushin. Këtë gjë bëri së fundmi me Aqif Rakipin të cilin e mbështeti si aleat në Elbasan dhe e mbrojti tinëzisht kur ndodhi vdekja aksidentale e një qytetari të zakonshëm me makinën e tij. Këtë gjë bëri më Ymer Lalën në zgjedhjet vendore në Dibër dhe zgjedhjet e përgjithshme të 2017 kur vajza e tij pas u zgjodh deputete, me naivitet deklaroi aleancën me Ramën.

Rama tinëzisht kur zbulohet profili kriminal i një deputeti, ministri apo personi kyç të klientelës së tij të tij fillon mbrojtjen e tij duke deklaruar se ata ose nuk janë më pjesë e grupit të tij parlamentar, se gjoja nuk kanë mbështetjen e tij politike apo të grupit të tij. Ndërkohë që vazhdon nën rrogoz mbrojtjen e tyre të fuqishme sepse ata jo vetëm i duhen për të të blerë votat e kërcënuar votuesit por ndërkohë ata e kërcënojnë dhe shantazhojnë me bëmat e përbashkëta që kanë bërë nga trafiqet drogës, paratë e pista nga aktivitetet kriminale dhe deri te blerja e votës dhe kërcënimi i votuesve me porosi të Ramës, i cili ka pasur edhe përfitimin maksimal nga aktiviteti i tyre kriminal, konkretisht marrjen dhe ruajtjen e karriges së kryeministrit.

Të njëjtën gjë po bën Rama më Tahirin që dyshohet për lidhje me klanin mafioz të Habilajve. Kërkon ta mbrojë fuqimisht duke i hedhur sy ndërkombëtarëve me gjoja largimin nga grupi parlamentar apo lejen që do ti japë prokurorisë për kontrollin e banesës dhe kontrollin personal(gjë për të cilën Tahiri i ka marrë tashmë të gjithë masat), veprim ky hileqar e njëkohësisht absurd dhe kontradiktor, sepse kjo do të thotë që Rama pranon argumentet e prokurorisë për “dyshimet e arsyeshme” për ngritjen e akuzës ndaj Tahirit por nuk pranon kërkesën për arrestim. Kjo është e turpshme, tinëzare dhe një njëkohësisht një hile e trashë.

Basha duhet urgjentisht të sqarojë ndërkombëtarët për qëndrimin tinzar dhe hilen e radhës së Ramës. Por paraprakisht duhet të sqarojë partnerët se sipas ndryshimeve të fundit në Kushtetutë për kufizimin e imunitetit të personave VIP që akuzohen për korrupsion, siç është rasti i Tahirit, as Rama dhe as Basha, as maxhoranca dhe as opozita nuk kanë të drejtë as të arrestojnë Tahirin por as të pengojnë kërkesën e prokurorisë për arrestim.

Basha duhet të sqarojë se opozita, për ish-ministrin Tahiri, të akuzuar apo më saktë të dyshuar nga prokuroria për korrupsion dhe implikim në trafiqet e drogës e të armëve me një klan mafioz, nuk kërkon arrestim se kjo nuk është e drejtë e saj por kërkon vetëm ti hapet rrugë drejtësisë, ashtu sic janë bërë ndryshimet kushtetuese për kufizimin e imunitetit të personave VIP.

Basha duhet të sqarojë se qëndrimi i Ramës, pavarësisht hileve dhe mashtrimeve, është në realitet një mbyllje e rrugës për kërkesën e prokurorisë apo në mënyrë indirekte një mbyllje e mundësisë për të trajtuar këtë çështje në rrugë gjyqësore siç e kërkon kushtetuta dhe ligji, pra thënë ndryshe mos lejim me vendimin politik të Ramës që kërkesën e prokurorisë ta shqyrtojë gjykata dhe vendimin ta marrë ajo.

Basha duhet të sqarojë ndërkombëtarët se vendimin për arrestimin e Tahirit, sipas kërkesës së prokurorisë e ka vetëm dhe vetëm gjykata dhe askush tjetër, apo ashtu si dhe pengesa që i bëhet drejtësisë për të shqyrtuar kërkesën e prokurorisë nuk është gjë tjetër veçse mbrojtje politike e Tahirit nga Rama.

Basha duhet të bëjë me dije publikun dhe ndërkombëtarët se kjo mbrojtje hileqare e tinëzare që i bëhet Tahirit nga Rama është indirekt edhe një kërcënim për gjykatën, duke e paralajmëruar atë përdorë argumentet politikë të Ramës dhe mbi këtë arsyetim të marrë vendim për të nxjerrë Tahirin të pafajshëm ndërkohë që Rama kërkon të shesë të gjithë mashtrim si betejë të Ramës për të vërtetën dhe për të vendosur drejtësinë në vend.

Ndërkombëtarët, veçanërisht SHBA dhe BE, që kanë bërë një betejë të fuqishme për reformën e drejtësisë, duhet urgjentisht të mbajnë qëndrim ndaj rastit Tahiri, si shembulli i qartë i lidhjes së “peshqve të mëdhenj të politikës” më krimin, trafiqet dhe korrupsionin. Në fakt ndërkombëtarët duhet të futen edhe më thellë për të kuptuar se edhe Tahiri është veçse një ndërmjetës, dhe realisht koka politike e këtyre lidhjeve është Edi Rama. Nëse ndërkombëtarët do të heshtin apo do të kërkojnë të mbrojnë Ramën duke e relativizuar këtë rast atëherë zhgënjimi i shqiptarëve do të vazhdojë te rritet dhe ata do ti drejtohen masivisht lotarisë amerikane dhe të gjithë rrugëve e mjeteve për të emigruar në vendet e Europës.