VIDEO/ Saimir Tahiri përjashtohet nga grupi parlamenti i PS-së

Saimir Tahiri nuk do të jetë deputet i Partisë Socialiste deri në përfundim të hetimeve për të. Këtë e ka thënë kryeministri Edi Rama në fund të mbledhjes së grupit parlamentar të PS.

“Tahiri do të jetë një njeri i lirë dhe një deputet i lirë, jashtë forumit të Partisë Socialiste dhe jashtë grupit parlamentar të Partisë Socialiste”, tha në fund të fjalës së tij, Edi Rama.

“Refuzojmë kërkesën për arrest unanimisht, pranojmë dhënien e autorizimit për mos daljen jashtë shtetit, detyrimin për t’u paraqitur, garancinë pasurore, kontrollin personal dhe të banesës së Tahirit. Në asnjë rast për asnjë deputet tjetër, nuk do ta kisha kuptuar pranimin e këtyre kërkesave që mbeten ekstrem. Kjo është një cudi e re shqiptare, pasi pyetja a është i pafajshëm Tahiri nuk mund të rrijë pezull.

Kjo qeveri e re dhe unë jemi ndryshe, krejt ndryshe nga ata që na janë turrur me dëshpërimin e drejtësisë së re që po troket. Ne e duam të vërtetën, aty nuk u ka interesuar. Ne duam drejtësi, ata tollovi, unë e dua Saimirin, por më shumë dua drejtësinë për të më të treguar të vërtetën.

Tahiri duhet të hetohet me të gjithë mundësinë që parashikon kodi dhe deri kur të dalë e vërteta. Por nuk do të përzihemi politikisht si mbrojtës të Tahirit, nga unë deri te të gjithë të tjerët. Ne nuk jemi këtu për të mbrojtur të vërtetën e Tahirit. Saimiri do të jetë një njeri i lirë dhe një deputet i lirë, jashtë forumit dhe grupit parlamentar. Ne jemi këtu, nëse prokuroria sjell prova dhe jo gazeta dhe vjen këtu me fakte, jo për të mbyllur derën, komisioni mund të mblidhet dhe ashtu do të ngremë dorën për arrestin nëse prokuroria do të sjellë prova.”, -tha Rama.