Neymar sërish sherr te PSG, pas Cavani debate edhe me trajnerin Emery

Pas incidentin në fushë me Cavani (se kush do të gjuajë penalltitë) sërish probleme për sulmuesin brazilian të PSG, Neymar, që ka debatuar e ka ngritur edhe ndaj trajnerit Unai Emery. Lajmin e ka konfirmuar sot e përditshmja franceze “L’Eqipue”, që ka thënë se incidenti mes trajnerit dhe sulmuesit ka ndodhur pas ndeshjes së Champions League, fituar ndaj Anderlecht ditën e mërkurë (në atë sfidë, Neymar realizoi golin e tretë në fitoren 4-0 ndaj belgëve).

Sipas “L’Eqipue”, trajneri Emery ka zhvilluar menjëherë pas ndeshjes një stërvitje të lehtë me top me titullarët para se ata të linin fushën e lojës. Dhe, më pas, do të stërviteshin edhe lojtarët rezervë.

Neymar ka kërkuar që të stërvitej edhe me grupin e dytë të lojtarëve, por trajneri ka kundërshtuar. Kjo ka sjellë nervozizmin e sulmuesit brazilian, që duke shkuar në dhomat e zhveshjes ka gjuajtur fort topin drejt murit, duke sharë nëpër dhëmbë Emery.