'Rama e Tahiri, pakt mafioz të fshehin të vërtetën nga shqiptarët, por xhindet kanë dalë nga shishja'

Partia Demokratike ka protestuar kundër vendimit të Gramoz Ruçit për të zhvilluar pa praninë e mediave, mbledhjen e ndërprerë të Këshillit të Rregullores ku po shqyrtohet çështja e imunitetit të deputetit Saimir Tahiri. Sipas PD, vendimi i Ruçit që pa pasur shumicën e votave të Këshillit për të mbyllur dyert, tregon se ka një pakt mafioz Rama - Tahiri për të mos ua treguar shqiptarëve të vërtetën.

Deputeti demokrat Enkelejt Alibeaj deklaroi nga Kryesia e Kuvendit se tani "që është faza e fundit e diskutimit në komision, e diskutimit e shtjellimit të argumentave tona, të gjithë  deputetëve edhe atyre të mazhorancës, Gramoz Ruçi nuk pranon që media të jetë brenda.  Ia kërkuam në bazë të rregullores; rregullorja është fare e qartë në nenin 35 të saj thotë që mbledhjet e komisionit zhvillohen në prani të medias. Dhe nëse ka një kërkesë për ta bërë të mbyllur, kjo kërkesë hidhet në votë. Zoti Ruçi e hodhi në votë dhe kërkesa e tij morin 5 vota, pra jo shumicën, sepse janë vetëm 10 anëtarë, të ndarë në dy pjesë të barabarta. 

Kjo është çështja më delikate që shqiptarët duan ta dinë, duan të kuptojnë dhe ajo që po ndodh tani është fakti që mazhoranca, Edi Rama, në pakt të plotë mafioz me Sajmir Tahirin, duan të lënë në errësirë shqiptarët, t'i ndalojnë për të kuptuar të vërtetën, për të kuptuar një vërtetë që është e tyrja.

Eshtë pakt mafioz. Nën dritën edhe të provave që ju patë, i dëgjuat dje, por edhe provave të dhëna  sot nga ana e  prokurorisë, tashmë ka ndodhur një gjë. Xhindet kanë dalë nga shishja. Kanë dalë nga shishja dhe nuk futen më brenda.

Kjo është ajo çfarë duan t'i fshehin tani shqiptarëve. Nuk përballen dot me argumentin, duan që shqiptarët t'i lënë në errësirë për të mos kuptuar, për të mos mësuar, se cila është e vërteta e këtij skandali të madh e përfshirjes, jo vetëm e ish-ministrit të Brendshëm në këtë aferë, por dhe më lart sesa aq," theksoi Alibeaj.

ar.sh/SYRI.NET